Politike

Rama: Opozita, politikë me të vdekurit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se është e pamundur teorikisht dhe praktikisht që të manipulohen numrat e të vdekurve të shkaktuar nga Covid-19.

Në mesazhin e paralajmëruar për këtë të shtune, kreu i Qeverisë i cilësoi akuzat e Lulzim Bashës si përvijim i qëndrimeve të tij përgjatë pandemisë, por këtë herë thotë se është tejkaluar çdo imagjinatë në luftën e opozitës për pushtet.

Rama i cilësoi inskenim fotografitë e publikuara në disa media një ditë më parë, ku pretendohet se morgu i Tiranës është i tejmbushur dhe personat që kanë humbur jetën lihen në shesh.

“Nuk mund të ndahemi edhe për numrin e të vdekurve, apo të bëjmë politikë edhe me inskenimin e fotografive nga morgu i spitalit. Në mes të një lufte si kjo mund të sfidohet edhe Qeveria, edhe ekspertët e Komitetit Teknik, por nuk mundet që deri tek Presidenti të krijojë komitetin e tij alternativ dhe opozita të krijojë komitetin e saj, ku njëri të thotë që Qeveria të blejë maska, ndërsa tjetri të thotë që virusi nuk ekziston”, u shpreh ai.

Rama thotë se pas akuzave të opozitës qëndron vetëm lufta e tyre për të marrë pushtetin dhe rrëzuar Qeverinë në aleancë me Covid-in. Ai foli për përhapje paniku dhe përpjekje për të përçarë shqiptarët në betejën e tyre kundër pandemisë. “Për këtë arsye, mos e harroni kurrë këtë”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se thirrja e opozitës drejtuar prokurorisë për të hetuar numrin real të viktimave të Covid është një trysni e tepërt ndaj mjekëve në kulmin e luftës së tyre ndaj virusit.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1330190816871059458?s=20

Këtij reagimi të Ramës, Lulzim Basha i parapriu me dy postime të shkurtra në rrjetet sociale. Basha thotë se Ramës iu desh dy ditë kohë në përpjekje për të manipuluar faktet.

“Pasi denoncimit të fakteve se gënjeu për numrin e viktimave të Covid-19, Ramës ju deshën dy ditë për t'u përgjigjur. Dy ditë përpjekje për të manipuluar faktet dhe për të fshehur të vërtetën që pamë të gjithë. E ka kot sepse askush nuk i beson më! Kush gënjen për një çështje kaq të ndjeshme, gënjen për gjithçka. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për ta dhe nuk merret me gënjeshtra natë e ditë”, shkroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë