Futboll

Vijon shkatërrimi i “Selman Stërmasit”, dy ndeshje në 24 orë

Superliga Shqiptare vazhdon edhe këtë javë me problematikëne saj të zakonshme, mungesën e terreneve. Kukësi që këtë sezon nuk mund të luajnë stadiumin e tij, në çdo javë është i detyruar që të emigrojë në fusha të tjera. Edhe këtë javë ka qenë enigmë impianti që do të priste sfidën mes verilindorëve dhe Teutës. Dilemave i ka dhënë fund vetë klubi i Kukësit, që përmes një njoftimi për mediet ka bërë me dije se sfida me bregdetarët do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”.

“Ndeshja e javës së XIII-të, Kukësi - Teuta, do të zhvillohet në stadiumin "Selman Stërmasi", në orën 14:00 të datës 12 nëntor 2018. Presidenti i Futboll Klub Kukësit, Safet Gjici ka menduar që hyrja në stadium, për tifozët të cilët dëshirojnë të ndjekin nga afër ekipin verilindor, të jetë pa pagesë duke ju bërë thirrje për të mbështetur në mënyrë masive skuadrën në "Selman Stërmasi".”- shkruhet në njoftimin e Kukësit.

Në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe që një ekip, i cili stërvitet në Tiranë t’i zhvillojë ndeshjet e tij në kryeqytet. Por fakti që në këtë stadium,“Selman Stërmasi” të dielën do të luante Partizani dhe pa kaluar 24 orë do të luhej sërish, kthehet në një problem shumë serioz. Impianti i vetëm në Tiranë ku mund të luhet një ndeshje e Superligës, aktualisht përdoret nga tre ekipe: Tirana Partizani dhe Kukësi.

Vitin e shkuar fusha e këtij stadiumi në fund të sezonit pësoi një degradim të rëndë dhe u deshën disa muaj deri sa të vinte në gjendjen e duhur. Nuk duhet të habitemi nëse e njëjta gjë ndodh edhe këtë vit, pasi abuzimi nuk ka të ndalur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë