Politike

Një këshillë me telefon nga SHBA që “tërboi” Ilir Metën

Mbrëmjen e së mërkurës, një telefonatë është zhvilluar e të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, duket se ia ka prishur gjumin Presidentit Ilir Meta. Përmbajtja e telefonatës mbetet ende mister, por nisur nga ajo se çfarë pasoi një ditë më vonë, mund të hamendësohet se biseda lidhej me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias.

Në fakt, vetëm një deklaratë e Ambasadës Amerikane mëngjesin e kësaj të enjte ishte ajo që zbuloi edhe ekzistencën e kësaj telefonate. Ambasada i mëshonte idesë së adresimit në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion për zgjidhjen e ngërçit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156836467680838

Ambasada Amerikane nuk ishte e para që propozon adresimin në Venecia të kësaj përplasjeje, ndaj pakkush e mendonte se kjo deklaratë relativisht e shkurtër do të shkaktonte një reaksion zinxhir në Presidencë.

“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!”, deklaroi zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157730436037760

Postimi mbart disa enigma, por kryesoja ishte protagonisti i bisedës zyrtare me Ilir Metën mbrëmjen e së mërkurës. Misteri u zbardh shpejt, kur burime si nga Ambasada Amerikane, ashtu edhe nga Presidenca deklaruan se të mërkurën, i dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer i kishte telefonuar Ilir Metës. Mbi përmbajtjen se çfarë është diskutuar në këtë bisedë ka pak detaje, por nisur nga reagimi i Presidencës për idenë e adresimit të ngërçit kushtetues për në Venecia mund të hamendësohet se pjesë e kësaj bisede të ketë qenë edhe kjo temë.

Lajmet mbi bisedën Meta-Palmer u eklipsuan disi nga vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që shkarkoi Besnik Muçin për mosjustifikim pasurie dhe cenim të besimit të qytetarëve tek drejtësia. Por, lajmi i vërtetë nuk u prodhua brenda sallës së KPA-së, por jashtë saj. Në prononcimin para mediave, Besnik Muçi “sfidoi” vettingun dhe tha se vendimi i Kolegjit lidhej vetëm me Besnik Muçin prokuror dhe jo Besnik Muçin gjykatës i Gjykatës Kushtetuese dhe se për këtë arsye do të vijojë detyrën e gjyqtarit kushtetues.

Pretendimi i Besnik Muçit u mbështet nga ish-Presidenti Bujar Nishani, që foli në përfundim të një takimi me Presidentin Ilir Meta. Nga mazhoranca, këtë pretendim të Muçit, Taulant Balla e cilësoi si qesharak dhe paralajmëroi adresimin për në Venecia të të gjithë sherrit kushtetues.

Kur mediat nuk kishin përtypur ende mirë deklaratën e Besnik Muçit, zëdhënësi i Presidentit i përgjigjet interesimit të gazetarëve mbi përmbajtjen e bisedës telefonike mes Presidentit Meta dhe zyrtarit të DASH, Matthew Palmer.

“Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, jua ka konfirmuar z.Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’jua konfirmoj edhe unë, ju sqaroj: Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka pasur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit. Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese. Megjithatë nëse z.Lekloti, bie dakord me Ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar. Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur! Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë!”, deklaroi ai.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157730704857760

Vetë Presidenti Ilir Meta doli rreth orës 13:00 nga hyrja qendrore e Presidencës. Para se t’u drejtohej mikrofonëve të gazetarëve, Meta përshëndeti ushtarakisht rojen e Gardës. "Ti do të jesh i ushtari i dytë - dhe unë i pari - në mbrojtje të Republikës!", i ka tha Meta rojës së Presidencës dhe më pas mori fjalën para mediave që po e prisnin të porta e selisë së tij. Shkarkimin e Besnik Muçit nuk e cilësoi surprizë.

Meta përshëndet ushtarin e Gardës së Republikës, përpara se të flasë me gazetarët. Gazeta "Si", 21 nëntor 2019

“Zero surprizë nga vettingu i partisë. Ju e dini që vettingu i partisë u shpall para disa ditësh nga zv.Kryeministri për zotin Muçi. Ai që ditën e parë që hyri ka patur presione politike të drejtpërdrejta për të penguar zonjën Marsida Xhaferllari për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ju e dini që Xhafaj i bëri presione dhe shantazhe publike anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Vitore Tusha qëndroi në atë detyrë me sforco për të mbajtur hapur derën e Gjykatës Kushtetuese, të cilën e bllokoi Edi Rama me disa palaço ndërkombëtarë, që kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë sa herë të duan duke diskredituar vlerat e shteteve të nderuar që ata përfaqësojnë dhe që ne adhurojmë aq shumë”, u shpreh Meta.

A ka diplomatë amerikanë, që Meta i përfshin në kategorinë e “palaçove ndërkombëtarë” dhe a është kjo një përplasje e Presidentit me SHBA?

“SHBA janë si yll, si shpirt, se me atë e kemi bërë Kushtetutën. Kushtetuta e thotë të qartë, Presidenti nuk mund të bëjë dy emërime njëherësh. Presidenti i bën emërimet me Kushtetutë, jo me rregulloren e ambasadave. Por ata do të kenë një Kushtetutë që ua ka përgatitur Edi Rama, Agaçi, prandaj kam ftuar ekspertët e tyre, të mos i mbajnë anonim dhe t’u tregoj Kushtetutën e Shqipërisë”, u përgjigj Presidenti Meta kësaj pyetjeje.

Sipas Presidentit, tashmë "ka vetëm një rrugëzgjidhje për Edi Ramën, por dhe për palaçot ndërkombëtarë".

“Ka vetëm një zgjidhje për Edi Ramën dhe për disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Ata të dalin me Edi Ramën dhe unë do të dal me të gjithë shqiptarët, që duhet të marrin në dorë sovranitetin e vendit, sepse nesër është edhe dita kur populli shqiptar votoi Kushtetutën”, tha Presidenti.

Sa i takon idesë së adresimit në Venecia, Meta e cilësoi hipokrizi, pas të cilit fshihet një tjetër objektiv, që është shpëtimi i Ardian Dvoranit.

“Hipokritët që duan të çojnë tani këto akte në Venecia, janë hipokritë sepse duhet të çonin Arta Markun, që u zgjodh me 69 vota. Tani duan të bëjnë për të shpëtuar Dvoranin, sepse Dvorani nuk ka qenë i vetëm, sepse ka patur edhe garancitë e disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin në KED, siç ka ndodhur”, tha Presidenti.

Meta e mbylli fjalën me dy fjali të thëna në anglisht dhe me dorën duke e përplasur në kraharor në anën e zemrës, për të treguar se Amerika dhe Europa nuk ndodheshin as të Rruga e Elbasanit dhe as të Rruga e Kavajës.

“No more rule of Embassy! Rule of law, si në SHBA dhe Europë. Amerika është këtu (tregon zemrën). Nuk është as në Rrugën e Elbasanit, as në Rrugën e Kavajës. Amerika është këtu, Europa është këtu”, tha ai.

As përplasja e fundit me Ambasadën Amerikane dhe as shpallja “non grata” në Presidencë e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë nuk janë hapat e parë të një përplasjeje që po bëhet gjithnjë e më frontale mes Presidentit Ilir Meta me përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare në Shqipëri.

Presidenti Ilir Meta e ka humbur besimin tek përfaqësitë diplomatike në Tiranë, që pas 30 qershorit, kur ambasadat e zëshme në Tiranë dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë jashtë Tiranës, përfshirë këtu Mattheë Palmer i vunë në diskutim dekretin që anulonte 30 qershorin si datë zgjedhjesh.

Dy ditë pas zhvillimit të atyre zgjedhjeve, ku PS garoi e vetme, Presidenti doli me një deklaratë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë.

“E ftoj Ramën të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, mos tallen me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë me Kushtetutën tonë kur i mbante iso Ramës dhe doktorit”, deklaroi Meta në atë kohë, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.

Po në këtë dalje, ai akuzoi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin një skenar për të futur në përplasje civile shqiptarët nga struktura të paralele të nëndheshme, duke përmendur këtu miliarderin amerikan, George Soros.

“Ishin një kurth dhe komplot i kurdisur prej kohësh për të krijuar një përplasje civile. Është një komplot që bazohet jo në parime të demokracisë e as në vlerat e BE dhe as të NATO, e cila siç tha shefi i NATO-s që në zemër ka në demokracisë. “Deep State”, “Total State Capiture” synon në Shqipëri, janë një komplot kundër demokracisë dhe gjithë vendit. PPPd janë grupi i strukturuar që synon kapjen e plotë shtetit dhe kanë gjetur njeriun e duhur për këtë çështje që nuk vjen në këto takime me Presidentin, por lahet në pishinë. Ku presidenti ka propozuar rrugën e zgjidhjes që nuk është “Rama ik”, siç kërkon opozita, por “Rama reflekto!”, ishin thirrjet e tij.

Presidenti sqaroi se çfarë ishte “PPPd”, që ai akuzon se po punojnë kundër Shqipërisë dhe vepron “shteti i nëndheshëm”, ose shtet brenda shtetit (deep state). “P – Politikanët; P – Propaganda (mediat që kontrollohen nga Qeveria); P – Policia, por jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit, ndërsa “d” e vogël – Diplomatët e huaj që kanë braktisur misionet e tyre”, ishte shpjegimi i kreut të shtetit.

Kur kanë kaluar pak më shumë se katër muaj nga kjo deklaratë, tonet ndaj George Soros dhe fondacionit të tij janë zbutur, por jo tonet ndaj ambasadave. Me besimin e humbur tek përfaqësitë diplomatike, Meta ka nisur një tur konsultash me ish-Presidentë dhe shoqërinë civile, përfshirë këtu Fondacionin Soros.

Nga ky takim Kristaq Kume, pjesë e shoqërisë civile dhe ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zbuloi lëvizjen e radhës të Presidentit, që është nisja e një turi takimesh me qytetarët për t’u shpjeguar nga afër qëndrimet e tij të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë