Politike

Ekskluzive/ DASH: Në krah të Shqipërisë, si miq dhe aleatë, me kusht reformat thelbësore

Presidenti Ilir Meta hapi një “krah lufte” ditën e djeshme me Ambasadën Amerikane në Tiranë duke quajtur “palaço ndërkombëtarë” diplomatët amerikanë në Shqipëri. Kjo deklaratë e fortë e kreut të shtetit erdhi pas një reagimi të Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila propozonte që ngërçi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese të adresohet pranë Komisionit të Venecias.

Kjo deklaratë vinte në fakt edhe si një zbardhje e bisedës telefonike që presidenti Meta kishte pasur me të dërguarin special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, kryefjala e së cilës mësohet se ka qënë po ashtu kriza në Gjykatën Kushtetuese.

Nisur nga këto zhvillime, por edhe gjuha e ashpër e presidentit, Gazeta "Si" u interesua ditën e djeshme pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, duke i dërguar disa pyetje në lidhje me qëndrimin e Uashingtonin zyrtar ndaj këtij ngërçi.

Në kërkesën zyrtare Gazeta “Si” i drejtoi këto pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit:

- Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta njoftoi sot se ka zhvilluar një telefonatë me Përfaqësuesin Special të SHBA në Ballkanin Perëndimor, Z. Mathew Palmer për krizën në Gjykatën Kushtetuese në vendin tone Cili është pozicioni i Departamentit të Shtetit të SHBA lidhur me këtë krizë?

- Sa i përket bisedës së Z. Palmer me Presidentin Ilir Meta, çfarë kërkuat nga kreu i shtetit shqiptar për zgjidhjen e krizës në Gjykatën Kushtetuese?

- A jeni në dijeni që Ambasada e SHBA ka bërë një deklaratë, duke kërkuar nga opozita dhe qeveria në Shqipëri të adresojnë krizën në Gjykatën Kushtetuese në Komisionin e Venecias?

-Pas një telefonate me zotin Palmer, Presidenti Meta sulmoi Ambasadën Amerikane në Shqipëri, duke thënë se Gjykata Kushtetuese është një vijë e kuqe që dhe ai nuk do të diplomatë të huaj që kalojnë atë vijë të kuqe, disa prej të cilëve ai i quan të korruptuar që janë duke u përdorur nga Kryeministri ministri Edi Rama për të kapur Reformën në Drejtësi? Si do t’i komentonit këto deklarata?

Pa kaluar ende 24 orë, Departamenti Amerikan i Shtetit iu përgjigj Gazetës “Si” duke thënë se do të vazhdojë të qëndrojë në krah të vendit tonë për aq kohë sa ndërmerren reforma thelbësore për sundimin e ligjit.

Departamenti Amerikan i Shtetit. Gazeta Si, 2019

Në një email zyrtar, DASH nënkupton se përplasja mes presidentit Ilir Meta dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë nuk cenon marrëdhëniet mes vendeve.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që të respektohet deri në fund zbatimi i ligjit.

“Jemi në dijeni të këtyre raporteve”, thotë DASH, duke theksuar se përparimi në reforma është thelbësor për anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Është parësore që të respektohet zbatimi i ligjit. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara mbetet i njëjtë: përparimi i vazhdueshëm në reforma është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit për Gazetën "Si".

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë si një mik, partner dhe aleat, ndërkohë që ajo ndërmerr këto reforma thelbësore”, përfundon Departamenti Amerikan i Shtetit në reagimin e tij.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Gazetës “Si”, DASH i referohet edhe deklaratës së bërë nga Ambasada Amerikane të enjten për adresimin në Komisionin e Venecias.
Në këtë deklaratë, Ambasada Amerikane thoshte se interpretimi për emërimin në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm nga organet gjyqësore. Në mungesë të tyre, Ambasada këshillonte që për këtë çështje duhet pyetur një palë e tretë e paanshme.

“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, thuhej në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10156836467080838/?type=3



Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë