Rend dhe Ligj

Video/ Zbulohet “shtëpia e barit” në Shijak, dy vëllezërit kishin fshehur në mur një arsenal armësh

Gazeta Si - Rreth 440 rrënjë kanabis u zbuluan në një shtëpi 4-katëshe në fshatin Sallmonë të Shijakut, në pronësi të 2 vëllezërve, Fredi dhe Selman Krasniqi.

Gjatë operacionit të koduar policor “Krahët e Krimit”, në të njëjtën shtëpi u zbuluan edhe një arsenal armësh, të fshehura në një ambient me mure të dyfishtë. Mes armëve u gjetën 10 kallashnikovë, granata, municione etj. Autoritetet po ashtu arrestuan një prej vëllezërve, ndërsa tjetri u shpall në kërkim.

Policia thotë se “dyshohet se armët mund të jenë fshehur nga grupet kriminale dhe bimët narkotike mund të jenë financuar nga këto grupe”.

Banesa katër katëshe ishte në pronësi të dy vllezërve, të cilit kishin përshtatur katin e tretë dhe të katërt për kultivimin e bimëve narkotike.

U arrestua shtetasi Fredi Krasniqi 46 vjeç dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi Selman Krasniqi, 43 vjeç.

Të dy vëllezërit rezultojnë pa vepra penale më parë. Gjatë kontrollit u gjetën: 444 bimë narkotike, 220 llamba.

Në një ambient me mur të dyfishtë në këtë banesë u gjetën: 10 kallashnikovë, 1 pushkë,  1 automatik sharrës, granata dore, një jelek antiplumb, një dylbi, municion luftarak e krehër të ndryshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë