Drejtësia

Burg për pronarin e ‘shtëpisë së barit’ në Shijak, merr përsipër kanabisin dhe armët

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka lënë në burg këtë të enjte 43-vjeçarin Fredi Krasniqi, i cili u arrestua, pasi kishte kthyer vilën e tij në një “shtëpi bari” në fshatin Sallmone të Shijakut.

Edhe para trupit gjykues, ai është shprehur se kultivimin e kanabisit e ka bërë për vete për të përfituar para, që i duheshin për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale.

Sa i përket arsenalit të armëve që iu gjetën në një ambient me mur të dyfishtë, ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim si gjatë marrjes në pyetje, se armët kanë ngelur aty që prej 1997-s.

Pavarësisht këtij deklarimi të 43-vjeçarit, hetuesit kanë dyshime se ai dhe i vëllai i tij, Selman Krasniqi i shpallur në kërkim nga policia e kishin vënë banesën e tyre në dispozicion të grupeve kriminale.

Hetimet e zhvilluara nga policia e Durrësit, kanë përfunduar në dyshimet se ambientet e përshtatura për kultivim dhe armët e sekuestruara janë financuar nga grupe kriminale.

Nisur nga këto dyshime, armët e gjetura janë çuar për ekzaminim në policinë shkencore pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë përdorur në ngjarje kriminale.

Ndërsa hetimet janë shtrirë tek lidhjet kriminale të dy vëllezërve, Fredi e Selman Krasniqi. Ky rezulton person me precedent kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Ndërkohë në një ambient me mur të dyfishtë policia ka gjetur një arsenal armësh konkretisht 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë