Gazeta Si - Në një mega-operacion në Koplik të Malsësisë së Madhe (Shkodër), policia ka zbuluar 27 sera me 8.000 fidanë kanabis.
Në pranga ka rnë një 52-vjeçar, i cili dyshohet se është organizatori i veprimtarisë kriminale. Ndërsa tre punonjës të Bashkisë në Malësi të Madhe u proceduan penalisht.
Policia thotë se në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik, qendër, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh, 20 metra në thellësi të tij, janë evidentuar 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë.
Si pasojë, është arrestuar shtetasi N.D. alias E.V., 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.
Bëhet fjalë për një zonë që më parë është përdorur nga kompanitë e inerteve dhe pas largimit të tyre ka lënë pas një gropë të madhe që duket se 52 vjeçari e ka shfrytëzuar për ngritjen e serave të tij të kanabisit.
Po në vijim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj.Gj., 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; R.Gj., 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe A.H., 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N.D., policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat ky shtetas i mbante pa leje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.