Lajme

Video-reportazhi i RAI 3 për kanabisin, Policia: Dezinformim skandaloz

Pas publikimit të një videoreportazhi nga televizioni italian “RAI 3”, për rritjen e sasisë së kanabizimit të vendit tonë 12 fish më shumë, vjen edhe reagimi i Policisë së Shtetit.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Policia thotë se ky është një dezinformim skandaloz që i bëhet audiencës, sepse 2019 shënoi sasinë më të vogël historike të kanabisit me origjinë nga Shqipëria, të kapur në Itali.

“Në emër të të gjithë trupave tona të angazhuara në ketë betejë të shtetit dhe ligjit me antishtetin dhe antiligjin, ne shprehim keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime për lajmin e rremë të transmetuar mbrëmë nga kanali prestigjioz RAI 3, ku dezinformimi mbi kultivimin e kanabisit në Shqipëri ishte skandaloz”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu bëhet e ditur se Drejtori i Përgjithshëm e ka përcjellë menjëherë shqetësimin e krijuar nga ky lajm te partnerët italianë dhe ka kërkuar prej tyre saktësimin e këtij informacioni.

Në reagimin e Policisë bëhet e ditur se pas adresimit të shqetësimit te partnerët italianë, ata janë shprehur të habitur me lajmin në fjalë dhe kanë konfirmuar se ky lajm nuk bazohet në asnjë burim të drejtpërdrejtë informacioni të verifikuar.

Ndër të tjera, policia thotë se është në pritje të një përgënjeshtrimi zyrtar nga autoritetet përkatëse italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë