Bota

Video/ Në Kiev po luftohet për çdo centimetër, Ukraina bie dakord për negociata me Rusinë në Minsk mbi ‘neutralitetin’

Gazeta Si - Në ditën e dytë të luftimeve duket se palët ruse e ukrainase mund të ulen në tryezën e bisedimeve. Presidenti Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e diskutimeve me Zelenskin. Edhe ky i fundit kërkoi më herët dialog nga Rusia.

Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord që të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me homologun e tij rus, Vollodimir Zelensky.

Putin e konfirmoi shprehjen e vullnetit për dialog përmes një bisede telefonike me presidentin e Kinës Xi Jinping.

Më herët edhe presidenti ukrainas i bëri thirrje Putinit që të ulet në tryezën e bisedimeve.

“Lufta po zhvillohet në të gjithë territorin e Ukrainës. Le të ulemi në tryezën e bisedimeve për të parandaluar vdekjen e njerëzve”.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se kushti për negociata me Kievin do të ishte dorëzimi i armëve nga ushtria ukrainase. Forcat ruse ndodhen edhe në kryeqytetin ukrainas në Kiev.

BE do të ngrijë asetet europiane të Putin dhe Lavrov

Europa ka miratuar një tjetër paketë sanksionesh kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, shkruan BBC. Sipas një zyrtari të BE-së, blloku ka vendosur të ngrijë asetet europiane të presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit të jashtëm Sergei Lavrov. Megjithatë, ende nuk dihet nëse ndonjë prej tyre ka asete të rëndësishme në BE.

Rikujtojmë se në një njoftim ditën e sotme, Rusia deklaroi se do të vendosë gjithashtu sanksione kundër Perëndimit.

Luftimet e ashpra vijojnë

Artileria e rëndë, tanket e bombardimet me helikopterë dhe avionë po ja lënë gradualisht vendin luftës rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi në rrethinat e Kievit, Kharkovit dhe qyteteve të tjera të mëdha ukrainase.

Ushtria ukrainase thotë se vijat mbrojtëse po rezistojnë në Summy, Kharkiv, Chihniev dhe në rrethinat e Kievit. Në kryeqytet, në zonat perëndimore të tij nata raportohet e zhurmshme me të shtëna të vazhdueshme kallashnikovi dhe shpërthime të fuqishme.

Ushtria ka dhënë alarmin se grupe të forcave ruse kanë sekuestruar disa automjete të blinduara të ushtrisë ukrainase, janë veshur me uniformat e tyre dhe janë futur në prapavijë në përpjekje për të sabotuar vijën mbrojtëse.

Alarmi është dhënë për katër automjete që raportohet se kanë hyrë në thellësi të kryeqytetit dhe u kërkohet ndihmë qytetarëve që të raportojnë kur të shohin mjetet e blinduara me targa “Kozak 6163, 6164, KrAZ AI5976, AI 5966, GAZ66 dhe AI 5866”.

Ndërkohë, në një njoftim tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës akuzon Rusinë për krime lufte, kur ka lëshuar dy raketa në zonën civile të Kievit. Raketat, sipas njoftimit, janë neutralizuar nga sistemit mbrojtës antiajror.

Një sërë urash përreth Kievit janë hedhur në erë për të parandaluar avancimin e tankeve ruse. Në frontin e veriut dhe pranë kufirit me Bjellorusinë, ushtria ukrainase po përdor gjithashtu taktikat guerrile për të dëmtuar armikun.

Në jug të vendit, rusët kanë marrë pas 24 orë luftimesh ishullin e vogël të Bile në Detin e Zi. Ukraina thotë se ka humbur kontaktet me të gjithë grupin e ushtarëve që ndodheshin në këtë ishull.

Ndërkohë, qendrat e rekrutimit të ushtarëve në Kiev kanë regjistruar radhë. Ministria e Mbrojtjes ka dalë me deklarata duke ftuar këdo që është i aftë të mbajë një armë që të paraqitet vetëm me një pasaportë, ndërsa ka nisur edhe ndarja e armëve mëngjesin e së premtes.

Ndërkohë të premten në mesditë Reuters tha se Ukraina dëshiron paqe dhe është e gatshme për bisedime me Rusinë, duke përfshirë statusin neutral në lidhje me NATO-n. Kështu tha të premten për Reuters këshilltari i Presidentit ukrainas Mykhailo Podolyak.

"Nëse bisedimet janë të mundshme, ato duhet të zhvillohen. Nëse në Moskë thonë se duan të zhvillojnë bisedime, duke përfshirë statusin neutral, ne nuk kemi frikë nga kjo," tha ai përmes një mesazhi. "Ne mund të flasim edhe për këtë."

"Gatishmëria jonë për dialog është pjesë e insistimit tonë të vazhdueshëm për paqe"

Ukraina aktualisht nuk është pjesë e NATO-s ose e Bashkimit Evropian, megjithëse dëshiron t'i bashkohet të dyjave

Ukraina hoqi dorë nga armët e saj bërthamore, pasi fitoi pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në këmbim të garancive të sigurisë nga vendet evropiane.

Pasi protestat rrëzuan një president ukrainas aleat me Rusinë në vitin 2014, Moska aneksoi gadishullin e Krimesë në Detin e Zi nga Kievi dhe vazhdoi të mbështeste rebelët që luftonin trupat qeveritare në lindje të vendit.

Shtatë vjet më vonë, presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën nga ajri, deti dhe toka ndërsa trupat e tij po përparojnë tashmë drejt kryeqytetit Kiev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë