Politike

Vettingu, PS: Ndryshimi i Kushtetutës për të ruajtur standardet

Partia Socialiste këmbëngul te ndërhyrja në Kushtetutë për zgjatjen e afateve të vettingut, si zgjidhja më e mirë për të ruajtur të njëjtat standarde që janë aplikuar deri më tani nga rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deputetja dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka tha në një intervistë televizive se kalimi i procesit të rivlerësimit te KLP dhe KLGj, ashtu sicc e parashikon Kushtetuta, nuk garanton ruajtjen e të njëjtit standard rivlerësues.

“Zgjatja e afateve dhe shtyrja e tyre në Kushtetutë bëhet për të pasur të njëjtin standard të vettingut, se Kushtetuta e parashikon që procesi i kalon organeve të tjera, si KLGj dhe KLP”, tha deputetja Bushka për News24.

Deputetja socialiste tha se janë duke u analizuar shkaqet se përse procesi i vettingut nuk u përmbyll në kohë, ndërsa si një prej arsyeve përmendi faktin që organet e rivlerësimit, si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit u ngritën me vonesë.

Bushka ftoi Partinë Demokratike që ta mbështesë propozimin e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës.

“Në të mirë të interesit publike, të drejtësisë dhe në interes të besimit të publikut te drejtësia. Standardet janë shtylla e suksesit”, tha ajo.

Afatet e organeve të vettingut përfundojnë në korrik të vitit të ardhshëm, në një kohë që për t’u rivlerësuar kanë mbetur më shumë se 40 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë