Politike

Frikë se shtyrja e Vettingut do të përdoret për të dëmtuar reformën në drejtësi

Organet e vettingut dështuan që të përmbushin në afatin fillestar kohor procesin e rivlerësimit për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e tjerë subjekt i ligjit. Për këtë arsye, mazhoranca socialiste ka nisur diskutimet ditën e hënë për ndërhyrjen në Kushtetutë dhe zgjatjen e këtyre afateve.

Por, Instituti i Studimeve Politike ngre disa pikëpyetje mbi gjithë procesin.

“Sa do jetë mandati i ri? 3 vjet? 5 vjet? Pa limit? A ka sens të ndryshojmë Kushtetutën sa herë dështojnë organet të përmbushin detyrat e tyre në një afat ligjor? A ka studim dhe garanci se mandati i ri do të jetë i mjaftueshëm për të jetësuar vettingun? A pranojmë kështu se vendimi i korrikut 2016 ishte i gabuar, parashikimet nuk ishin reale dhe se institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë ende besueshmëri?”, thotë ISP.

Më 2015 Komisioni i Venecias deklaroi se i ishin dhënë garanci nga institucionet shqiptare se vettingu do të përmbyllej brenda 5 viteve dhe se Shqipëria kishte personel të mjaftueshëm për të zëvendësuar largimet nga sistemi.

“Koha tregoi se kjo garanci ishte jo reale dhe cilido person/institucion që e ka dhënë, minimumi ka gabuar. “Dekoratat” u ndanë gjatë 5 viteve, por kush mban përgjegjësi sot që u provua se meritokraci nuk ishte aq medituese dhe vizioni nuk ishte aq strategjik sa na thuhej? Kush kërkon ndjesë për dështimin/gabimin? A është parlamenti i aftë të marrë vendime strategjike dhe të pranojë edhe llogaridhënien?”, vijon më tej Instituti.

Në reagim ngrihet edhe shqetësimi se ndryshimet kushtetuese, që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej dy të tretave të Kuvendit, pra bashkëpunimin e detyrueshëm mes PS-PD, mund të përdoren për kërkesa që mund të dëmtojnë reformën në drejtësi. Llogaridhënie kërkohet edhe nga institucionet ndërkombëtare.

“A do të përdoren ndryshimet e reja kushtetuese si mekanizëm politik negocoimi për kërkesa që mund të dëmtojnë reformën në drejtësi? A nuk kanë përgjegjësi institucionet ndërkombëtare asistuese, sidomos Euralius, të japë sqarime publike mbi këtë problematikë, që përfshin edhe ekspertët e huaj të 2016 dhe të sotëm?”, thotë ISP.

Shqetësimi se ky kusht mund të përdoret për të negociuar kërkesa që mund të dëmtojnë këtë reformë është ngritur edhe nga deputeti socialist, Erjon Braçe.

“Të rienergjizojmë reformën në drejtësi, ta shtyjmë përpara në të njëjtën rrugë, duke e përmirësuar e përsosur, të çojmë vettingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve deri tek i fundit, pa u tunduar, pa negociuar, madje duke i mbajtur duart cilitdo që i fut atje prej nga duart e politikanëve, biznesmenëve e kriminelëve duhen larguar përfundimisht”, shkruan ai.

Ndërkohë, për të hequr çdo dyshim se kjo nuk do të ndodhë, ISP kërkon më shumë më transparencë në këtë çështje, nga Parlamenti dhe institucionet e tjera, që sipas tij, duhet të ofrojnë të gjithë informacionin cilësor tek publiku, duhet të kenë qasje strategjike dhe realiste, por edhe duhet të ndërhyjnë në Kushtetutë vetëm me garancinë se procesi do të jetë i hapur, transparent, konsultues, gjithëpërfshirës dhe funksional.

Mandati i institucioneve aktuale të vettingut përmbyllet në korrik të vitit të ardhshëm. Kushtetuta parashikon që pas kësaj periudhë vettingut kalon në përgjegjësinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Por, këto dy organe, sipas ISP, nuk janë gati për një proces të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë