Politike

Vettingu po “skadon”. PS nis punën për ndryshimin e Kushtetutës, i duhet edhe PD

Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë e grupit të saj parlamentar për të diskutuar nisjen e punës për ndryshimet kushtetuese që do të zgjasin procesin e vettingut. Mbledhja është thirrur nga kreu i grupit, Taulant Balla, ku deputetëve u është komunikuar vendimi për nisjen e punës për të ndërhyrë në Kushtetutë.

Procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve kërcënohet që të zvarritet edhe më tej për shkak të parashikimeve kushtetuese. Kushtetuta parashikon se në korrik 2022 mbaron mandati i (KPK), struktura e nivelit të parë të vettingut në drejtësi, si dhe mandatet e Komisionerit Publik. Pas këtij momenti, përgjegjësia për procesin e rivlerësimit i kalon autoriteteve të reja të sistemit të drejtësisë, KLGJ për gjyqtarët dhe KLP për prokurorët.

Bilanci aktual dhe ritmet e vettingut tregojnë se është e pamundur përfundimi i plotë i rivlerësimit në afatin kushtetues. Ndërhyrja në Kushtetutë u sugjerua edhe nga Instituti i Studimeve Politike. “Për rrjedhojë, ecuria e vettingut do të vijojë në organet e tjera të sistemit të drejtësisë ose parlamenti i ri do të duhet të ndërmarrë nismën për ndryshimin e afatit kushtetues përmes ndërhyrjeve të reja në Kushtetutë”, thuhet në deklaratën e ISP.

Në të dyja rastet, ISP thotë se duhet që Parlamenti, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë të bashkëveprojnë për të marrë një vendim sa më optimal përpara afatit të parashikuar nga Kushtetuta.

Zgjidhja e parë, pra zgjatja e afatit të organeve të vettingut kërkon ndryshime kushtetuese dhe si e tillë në Parlamentin e ri do të kërkojë edhe konsensus mes PS dhe PD. Nëse zgjidhja do të jetë e dyta, pra që vettingut të kalojë në dorë të KLGj dhe KLP do të duhet që të punohet për aktet rregullatore, shtimin e personelit dhe buxhetin në dispozicion të këtyre organeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë