Politike

Nga vettingu, te zgjedhjet vendore e dekriminalizimi; sfidat e Parlamentit të ri

Praktika parlamentare nga 2019 deri në 2021 dobësoi rolin e Kuvendit në sistemin politik dhe në pozitën kushtetuese të tij. Por, sipas vlerësimit të ekspertëve të Institutit të Studimeve Politike, këto janë indice të forta për të kthyer vëmendjen tek legjislatura e re, reformimi i sistemit përfaqësues dhe një qasje të re më institucionale në jetën parlamentare dhe politike.

Në vlerësimin e Institutit të Studimeve Politike, në dallim nga legjislaturat e mëparshme kjo legjislaturë ka disa risi dhe të dhëna të veçanta, ka prurje të reja më të shumta në numër sesa legjislatura e mëparshme dhe ka pritshmëri më të mëdha publike. Legjislatura do të nis me dorëheqje të dy deputetëve, përfshirë kryetari i Kuvendit, si dhe pritet të ketë ndryshime të tjera në listën finale të deputetëve sipas rezultatit zgjedhor: Në javën e dytë të shtatorit pritet të mandatohet dhe të krijohet qeveria e re, e treta e PS prej vitit 2013.

Legjislatura e re parlamentare është e vetmja në historinë e pluralizmit që nis me ndryshim rrënjësor të ekipit drejtues të legjislaturës paraardhëse. Asnjë nga tre anëtarët e kryesisë së Kuvendit dhe asnjë nga 10 anëtarët e Byrosë së Kuvendit të mëparshëm nuk është rizgjedhur më 25 prill. Një numër gjithashtu i madh i kryetarëve të komisioneve, të sekretarëve dhe të strukturave të tjera në Kuvend, nuk janë rizgjedhur, ose nuk kanë kandiduar në këto zgjedhje. Ky është ndryshimi më i thellë sasior i ekipit drejtues të Kuvendit në 5-6 legjislaturat e fundit parlamentare.

Lidhur me profesionet bazë të deputetëve , 37 nga 140 deputetë janë diplomuar në degë të ndryshme të studimeve ekonomike, 30 janë diplomuar në drejtësi, 13 në inxhinieri, 7 për gjuhë të huaja, 5 për administrim biznes, 4 në shkolla ushtarake apo policore, nga 3 në agronomi, shkenca politike dhe kimi, etj. Dy deputetë janë diplomuar në arte, një prej të cilëve është kryeministri Rama. Krahasuar me legjislaturën e kaluar është rritur numri i deputetëve me njohuri ekonomike dhe ka rënë numri i deputetëve me formim juridik.

Por cilat do të jenë sfidat e Parlamentit të ri? Një analizë e ISP rendit disa prej tyre.

Në aspektin politik, thotë ISP, Parlamenti i ri do të pritet të ketë prioritet një agjendë të re lidhur me integrimin e vendit në BE në prirje të konferencës së parë BE - Shqipëri, si dhe të ndërhyjë në Kushtetutë për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me mandatet kushtetuese të strukturave të vettingut, që skadon në korrik 2022.

Debati tjetër kryesor në shtator pritet të lidhet me mandatin e Berishës si deputet, pas kërkesës së palës amerikane për largimin e tij nga parlamenti. PD nuk ka ende një vendim zyrtar, ndërkohë që Berisha vazhdimisht ka bërë të qartë se mbetet aktiv edhe në legjislaturën e re. Berisha ka ndikim direkt në një pjesë të grupit parlamentar të PD, si dhe në përqindje më të lartë tek anëtarësia militante dhe strukturat lokale të saj. PD pritet të marrë një vendim të ndërmjetëm dhe jo përfundimtar përpara nisjes së legjislaturës së re dhe pas zgjedhjes së kryesisë dhe sekretariatit të ri. E njëjta situatë dhe vendimmarrje pritet edhe për disa raste të tjera parlamentare në secilin krah kryesor politik.

Parlamenti i ri pritet të ketë në përbërje individë me probleme në rekordet personale në raport me kriteret e integritetit dhe të dekriminalizimit. Në parlamentin e ri ka deputetë të sponsorizuar nga grupe informale dhe në raste të veçanta, edhe grupe me lidhje kriminale, etj, të cilët do të përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen e tij. Disa deputetë të “vjetër” dhe prurje të reja janë objekt në dosje të nisura hetimore. Procesi i dekriminalizimit do të vijojë të ketë ndikim dhe të sjellë edhe ndryshime edhe në përbërjen e parlamentit të ri.

Një temë tjetër që kërkon bisedime politike dhe konsensus parlamentar është nevoja e rikonfigurimit të përfaqësimit politik në qeverisjes vendore. Opozita nuk është pjesë e qeverisjes vendore pas bojkotit të vitit 2019, por nga ana tjetër, janë disa bashki me kryetarë të emëruar dhe në pozita antikushtetuese, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Presidentit, qeverisë dhe opozitës. Çdo vendim i GJK në këtë drejtim do të duhet të pasojë zgjidhjen politike, kalimin në zgjedhje të reja të përgjithshme lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë