Politike

Vettingu në politikë, Basha vë në provë Berishën: Kush voton kundër, e lufton korrupsionin sa për sy e faqe

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i është kthyer temës së vettingut në politikë në një bashkëbisedim që zhvilloi me banorët e Belshit. Më shumë sesa për PS-në ai e ka sfidë për Sali Berishën draftin e depozituar kur tha se kush voton pro këtij drafti tregon se luftën ndaj korrupsionit e ka të vërtetë.  

“Para dy ditësh kam çuar një propozim në parlament, ligjin për vettingun e politikanëve. Çdo politikani, vit për vit t’i hetohet pasuria e tij, pasuria e familjes së tij, pasuria e rrethit të tij shoqëror një herë në vit. Çdo politikan të kalojë në sitë, e justifikon apo jo. Pra, këtu ndahet shapi nga sheqeri. Këtu ndahet kush e ka luftën kundër korrupsionit për sy e faqe dhe kush e ka në të vërtetë.

Do vij ligji në parlament, ata që votojnë pro do të thotë që janë të sinqertë. Pse nuk do e votosh ti këtë? Këtij procesi i nënshtrohen gjyqtarët, këtij procesi i nënshtrohen prokurorët, këtë kontroll e bëjnë edhe policët, këtë kontroll e bën edhe punonjësi i gardës, pse mos të bëhet kontrolli për politikanët? Për deputetët, për kryetarët e bashkive, për ministrat, të gjithë institucionet e rëndësishme të shtetit të bëhet kontroll, verifikim i thelluar i pasurisë me parimin ndiq paranë. Kaq e thjesht është. Kjo që po bëjmë ne nuk ka të bëjë me SPAK-un, kjo ka të bëjë pastrimin e politikës nga politikanët të cilët nuk justifikojnë pasurinë e tyre”, tha Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë