Politike

Nikolla mbledh të enjten Kuvendin, Berisha: S’ndalemi pa u plotësuar kërkesat, po shkojmë drejt grevës së urisë (por pa datë)  

Ndryshe nga sa ishte lajmëruar më herët se seanca e ardhshme parlamentare do të mbahej më 22 nentor, zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi papritur zhvillimin nesër të punimeve parlamentare.

 Axhenda e të enjtes nuk është zbardhur ende, ndërsa Sali Berisha njoftoi në një dalje për mediat se aksioni i opozitës do të vijojë me sakrifica më të forta në Kuvend.

“Beteja vazhdon. Ne absolutisht jemi të vendosur të ecim drejt sakrificave më të forta për të rikthyer të drejtat tona kushtetuese sikundër shtoj këtu se çdo ditë dëshmon se në disa aspekte jemi të vonuar në këtë betejë. Ju e patë propozimin e Pashiq për Kosovën. E patë se si Pashiqi shqiptar propozonte që Radoicicët të bëheshin komandantë policorë në Kosovë. Ka edhe kurajon ta publikojë edhe pasi Radoicic doli udhëheqësi i një grupi terrorist. Çdo ditë që kalon, ky dëmton interesat e shqiptarëve. Ju kujtohet si anuloi takimin me qeverinë e Kosovës. Si u vërsul kundër Kurtit sepse kishte dorëzuar draftin që Radoicicët të bëheshin komandantë policorë në Kosovë”, tha Berisha.

 “Deputetët do të shkojnë drejt grevës së urisë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Vendi do të përcaktohet. Betejat pa kthim kanë afat vetëm fitoren. Cila ditë apo cila javë mbetet për tu përcaktuar. Parlamenti është futur nën tavolinë, është bërë virtual”, vijoi ai

Berisha përsëriti kërkesat e opozitës.

“Si mundet një njeri që të mohojë të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës.

Sot, Komisioni Europian ka denoncuar mohimin e të drejtave të opozitës për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Si mund të mohosh inicativën ligjvënëse të deputetëve të opozitës?

Ku ka ndodhur në botë, që të mbyllësh dyert e ndërtesës administrative të parlamentit ku është mbledhja e grupit?

Si mundet të adaptohen këto qëndrime nga ky njeri që nuk ka frikë?

Po ky ka tmerr, e ka kapë tmerrin se ka lindur shpresa.

Ky e di në mënyrë absolute se do largohet nga pushteti. Prandaj shkon dhe firmos marrëveshje të tilla.

Prandaj dhe është i aftë për çdo gjë. Mban Belerin në burg politik, thotë po nënshkruaj me Italinë një marrëveshje që të kem një mbështetje, po i ka ardhur fundi.

Lexoni çfarë ka thënë para dy vitesh për këtë marrëveshje, që kurrë nuk mund të nënshkruhet një marrëveshje e tillë.

Por tani që po përballet me opozitën e vërtetë, nuk e di nga t’ia mbajë.

Kjo është e vërteta.

Unë në betejë jam. Beteja nuk është e re për mua”, tha Berisha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë