Lajme

Vettingu, konfirmohet kryetari i Gjykatës së Posaçme, Sandër Simoni

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rikonfirmuar në detyrë kryetarin e Gjykatës së Posaçme, Sandër Simonin.

Ai ka rezultuar i pastër, ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin të pasurisë, nuk ka fshehje pasurie as deklarim të rremë. Ai doli para trupës gjykuese më 14 janar.

Dy muaj më parë, në tetor të 2019, Sandër Simoni kryesoi trupin gjykues tek Krimet e Rënda, i cili dënoi gjyqtarin e Fierit Roland Hysi, me 4 vite e 6 muaj burg për korrupsion.

Ndërkohë, në gusht të vitit 2019, Simoni mbylli në burg Gentian Dodën, i ekstraduar nga Anglia dhe i akuzuar për korruptimin me 30 mijë euro të gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri.

Simoni ka marrë pjesë edhe në procesin e ndëshkimit të një grupi të akuzuar nga Prokuroria për veprime terroriste, pjesë e Al-Nusra, një organizatë e klasifikuar si terroriste nga ana e OKB-së.

Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Marsela Balili.

Hetimi për gjyqtaren është kryer vetëm në një kriter, atë të pasurisë.

Për pasurinë, deklarimi i gjyqtares nuk ka qenë i saktë dhe në përputhje me ligjin. Ajo ka kryer fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë