Interviste

“Vetting” edhe për noterët? Ligji i ri shtrëngon licencat

Bledar Hoti – Ligji i i ri “Për Noterinë”, i miratuar së fundmi nga Parlamenti më 20 dhjetor, sjell sipas presidentes së Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushaj një ndryshim sa i përket licencimit të noterëve, duke vendosur shkollim dhe rregullta strikte. Tashmë dhënia e licencës nuk do të jetë domen ekskluziv i Ministrit të Drejtësisë, por një procedure të re që parashikon një trajnim dhe shkollim dhe me afat, duke i dhënë fillimisht “gradë” të parë si zëvendës/noter.
Deri tani fëmijës së noterit i jepej përparësi në konkurrimin për të marrë licencën e noterit, ndërsa me ligjin e ri, ky “favorizim” është hequr. Ashtu siç – sipas Sadushajt – e kanë praktikë edhe vendet evropiane. Sadushaj, në intervistën për Gazetën “Si”, nuk e përjashton mundësinë e një Vettingu për Noterët me zbatimin e këtij ligji. Ndërkaq ligji i ri parashikon uljen e numrit të noterëve, por sipas presidentes së kësaj Dhome, licencat e noterëve nuk do të ndërpriten.

Zonja Sadushaj, Parlamenti ka votuar ligji e ri “Për Noterinë”, kjo pas një periudhe trevjeçare diskutimi mes jush, si grupe interesi. Sa janë plotësuar kërkesat që ju keni në lidhje me ligjin e ri, a ju janë plotësuar pritshmëritë që keni pasur ju në lidhje me këtë draft?
Është e vërtetë që diskutimet kanë zgjatur rreth tre vjet, këto kanë nisur që në vitin 2015. Ne si grup interesi kemi qenë të pranishëm në këto diskutime, pra Dhoma Kombëtare e Noterëve ka pasur përfaqësuesit e saj. Janë bërë diskutime të vazhdueshme në komisionet e caktuara të Reformës në Drejtësi me ekspertë të lartë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, nën drejtimin e kryetarit të Dhomës së Avokatisë, z. Maksim Haxhia, si ekspert i lartë dhe ekspertë të tjerë vendas dhe të huaj. Fillimisht ligjit ekzistues për Noterinë iu bënë disa ndryshime dhe duke parë se ato prekin shumë dispozita, atëherë u vendos që të mos vazhdohet më me amendimin e ligjit ekzistues, por të hartohet një ligj i ri.
Pra ka qenë një grup pune, përfaqësues nga Kuvendi të pranishëm, Dhoma Kombëtare e Noterisë, ekspertë të misionit EURALIUS, si dhe kanë dhënë ndihmë edhe ekspertët e Dhomës Federale të Noterëve Gjermanë, të caktuar dhe nga Unioni Europian i Noterëve, të mbështetur edhe nga Euralius.
P/ligji i ri që u miratua në dhjetor në Kuvend, kuptohet se ka sjellë një sërë ndryshimesh sa i përket funksionit të noterit, që nga futja në profesion, duke forcuar kriteret e pranimit. Tashmë nuk kemi vetëm një provim që jepej në Ministrinë e Drejtësisë për t’u licencuar si noter, por kemi të detyrueshme kryerjen e një shkolle njëvjeçare pranë Qendrës së Trajnimit që do të ngrihet pranë Dhomës Kombëtare të Noterëve. Kemi një provim hyrës në këtë qendër, pas përfundimi të 1 vit shkolle dhe me përfundimin e dy viteve si kandidat për noter, personi që ka plotësuar të gjitha kërkesat e ligjit mund të kandidojë për zëvendës noterë. Pra, me kriteret janë shtuar disa filtra për t’u futur në profesionin e noterit.

Faksimile e ligjit të miratuar nga Parlamenti

Pra duhet të kalosh “provën” si zëvendës noter dhe më pas të bëhesh noter…
Patjetër! Më përpara duhet të jesh zëvendës noter, ky është marrë si model nga Gjermania dhe Austria, e kjo u mendua që i përshtatet më së miri edhe vetë situatës aktuale të noterisë në Shqipëri, për arsye se mund të themi kemi një numër real sa duhet të jetë për vendin tonë. Pra jemi një nga vendet që numri i noterëve është më i lartë, kemi një noter për 5-6 mijë banorë, në një kohë që vendet e tjera e kanë një noter për 10, 15 apo 20 mijë banorë. Kështu që u pa e përshtatshme që me ligjin e ri të futet edhe figura e zëvendës noterit, pra që jo me hapjen e një vendi bosh direkt të krijohet komisioni dhe të bëhet provimi dhe të licencohet për noter, por duke pasur zëvendës noterët ata mund të shkojnë në vendet ku pozicioni i noterit është bosh.

Sa i përket numrit të noterëve në raport me numrin e popullsisë, ligji i ri përcakton një rritje të këtij raporti, a rrezikohet ulja e numrit të noterëve me zbatimin e këtij kriteri të ri ligjor?
Jo, sepse në bazë të ligjit të ri parashikohet në dispozitat kalimtar që numri i noterëve do të vijë duke u reduktuar gradualisht, pra nuk rrezikohen licencat e dhëna për noter. Është vendosur një numër fiks, pra një noter për 15 mijë banorë, duke pasur në konsideratë edhe disa rrethana të tjera, si volumi i punës apo pozicioni gjeografik, sepse ka disa qytete në Shqipëri, p.sh Tirana është e tejmbushur me noterë, por ka disa qytete të tjera që nuk e plotësojnë numrin si Korça. Prandaj edhe u vendos ky raport.

Në debatet që ju keni pasur si grupe interesi, keni ngritur si shqetësim mos dhënien e së drejtës së trashëgimisë së profesionit. Kjo u lidh me faktin e ruajtjes së arkivave dhe të sekretit të punës me klientët. Kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë me ligjin e ri, a shihni se mund të ketë përplasje sa i përket ruajtjes së dokumentacionit dhe arkivës?
Pozicioni i noterit është funksion publik, pra nuk mund të themi se është tërësisht privat. Edhe me ligjin që ka qenë nuk është se është pasqyruar tërësisht trashëgimia, pra edhe fëmija e një noteri do të futej në një provim njësoj si të gjithë kandidatët e tjerë, i vetmi ndryshim ishte nëse prindi dëshiron që të largohej nga funksioni i noterit mund t’ia linte vendin fëmijës së tij. Por edhe fëmija e tij duhet t’i plotësonte të gjitha kriteret njësoj si kandidatët e tjerë, nuk është se kishte ndonjë prioritet. Faktikisht me ligjin e ri u hoq e drejta, ose si mund të thuash ky “përfitim” që kishte noteri, nuk mund të themi më se fëmija i noterit automatikisht me heqjen dorë të profesionit nga prindi ta zëvendësonte, për arsye se kjo u pa edhe nga të gjithë pjesëmarrësit u pa edhe si një shkelje e të drejtave, për arsye nuk respektohej parimi i meritokracisë, pasi mund të kishte kandidatë që mund të jenë shumë të mirë se fëmijët e noterit dhe që mund të përfitonin këtë profesionit.

Si do të organizohen noterët tani me ligjin e ri, do të ketë dy Dhoma?
Sipas ligjit të ri është Dhoma Kombëtare e Noterisë që ka personalitet juridik, sepse 470 noterë ka në të gjithë Shqipërisë. Nuk është një numër i madh që të thuash se sipas organizmit kishim 6 Dhoma rajonale dhe një kombëtare. Duke qenë se kishim një numër të paktë noterësh, që kishte si ajo e Gjirokastrës me 15 noterë nuk mund të thuash se kjo Dhomë të ketë një personalitet juridik. Tani me ligjin e ri Dhomat rajonale do të qëndrojnë siç janë, por tashmë do të jenë degë e Dhomës Kombëtare të Noterisë, pra kjo do të ketë personalitetin juridik.

Po për sa i përket çështjes së inspektimeve, a shihni si ndonjë rrezik kompetencat që mund të ketë Ministria e Drejtësisë duke ju penalizuar ju si noterë me masat administrative?
Ligji i ri i ka dhënë zgjidhje këtij problemi, pra nëse deri dje ne kishim inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë që bënin kontrollin dhe ishte ministri i Drejtësisë që vendoste dhënien e masës, me ligjin e ri është bërë një ndarje midis institucionit që bën kontrollin dhe institucionit që do të japë masën disiplinore. Ligji i ri, ndryshe nga i mëparshmi, parashikon një kontroll të detyrueshëm për të gjithë noterët, pra një herë në 4 vjet ata i nënshtrohen një kontrolli të detyrueshëm, përveç kësaj mund të ketë edhe kontrolle të tjera që mund të kërkohen nga ministri i Drejtësisë.
Ndërsa dhënia e masës disiplinore si pezullimi apo heqja e licencës është parashikuar që do të kalojë patjetër nga Bordi Disiplinor, ai do të përbëhet nga pesë anëtarë, ky dy prej tyre janë përfaqësues nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, dy nga Ministria e Drejtësisë dhe një anëtar i pavarur.

Kur do të ndjehen e fektet e këtij ligji? Kur do të dalin licencat e reja të noterëve?
Pas miratimit dhe të shpalljes së këtij ligji në Fletoren Zyrtare, nisin efektet e tij. Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Ministria e Drejtësisë do të fillojë përgatitjen e të gjitha akteve nënligjore. Do të ketë një periudhë kalimtare prej 6 muajsh ku ne jemi të detyruar që të plotësojmë këto akte dhe menjëherë pastaj do të fillojë zbatimi në praktikë. Brenda 9 muajsh ne jemi të detyruar që të krijojmë Qendrën e Trajnimit, do të ndryshojmë statutin e Dhomës Kombëtare, të zgjedhim anëtarët për Bordin Disiplinor dhe Bordin e Auditit. Pra gjithë kjo periudhë do të kërkojë ngritjen e organeve brenda për brenda Dhomës së Noterëve.

Debate ka pasur edhe për çështjen e digjitalizimit të arkivave të noterëve, kjo për shkak se një pjesë e tyre mungojnë dhe janë të hershme ndër vite. A do të zgjidhet brenda afateve ligjore një gjë e tillë?
Patjetër ka pasur ide edhe brenda për brenda noterëve se ne nuk na nevojitet sistemit elektronik, sepse ne kemi një regjistër elektronik noterial shqiptar i ndërtuar nga ministria e Drejtësisë, por ligji i ri parashikon ngritjen e një sistemi, që do të përbëjë në platformë e Dhomës Kombëtare të Noterisë. Janë marrë modele të shumë vendeve të tjera evropiane, nuk mund të themi që është i mjaftueshëm regjistri elektronik noterial shqiptar që është i ngritur nga Ministria e Drejtësisë, sepse Dhoma Kombëtare duhet të ketë sistemin e vet elektronike dhe nëpërmjet këtij sistemi ne do të mundësojmë lidhjen nëpërmjet të gjithë regjistrat e tjerë elektronik shtetëror. Si sistem e kemi regjistruar me bazë shtetërore pranë AKSHI-t dhe është një sistem që duhet ngritur, pasi është i vetmi që mund të mbajë në qendër të vëmendjes noterin. Nëse flasim për një regjistër noterial elektronik shqiptar, mund të qëndrojë për aq kohë sa mendon ministria e Drejtësisë, por mbas një fare kohe ai mund të hiqet.
Pra nëse ne mund themi se funksioni i noterit duhet të fuqizohet dy janë shtyllat kryesore: miratimi i ligjit të ri dhe e dyta krijimi i këtij sistemi. Ky sistem do të na ndërlidh jo vetëm brenda Shqipërisë, por dhe me Dhomat e Noterive të vendeve evropiane apo me ato të rajonit, siç janë Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja.

A është ky ligj i ri një lloj vettingu për noterët?
Ndoshta mund të jetë. Nuk është se nuk është hedhur ideja për vetting te noterët, ne nuk është se kemi pasur probleme në lidhje me këto. Por ndoshta edhe ky ligj ky do të shërbejë si pjesë vettingu për noterët.

 

Më Shumë