Ngjarje

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid, psikiatri: Ndikon ankthi nga sëmundja, jo niveli i oksigjenit

Ndërsa vendi është mbërthyer nga frika e infektimit me koronavirus me numrat e të prekurve dhe të humbjeve të jetëve që shtohen, po shtohen edhe rastet tragjike ku pacientë të prekur nga Covid-19, zgjedhin t’i japin fund jetës.

Mënyra e dhënies fund është po ajo. Pas tre vetëvrasjeve në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku pacientë të moshave dhe sfondeve të ndryshme zgjodhën të hidhen nga dritaret apo ballkonet e godinës, një i katërt është hedhur sot nga kati i dytë i Spitalit Infektiv, në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", ndërsa stafi mjekësor ka bërë me dije se po bën përpjekjet për t’i shpëtuar jetën, pasi pacienti ka mbijetuar.

Nën amullinë e informacioneve të para, por të ushqyer edhe nga rastet e mëhershme,  qytetarët e frikësuar dynden në rrjetet sociale duke fajësuar shpesh mjekët, qeverinë apo edhe duke ngritur pikëpyetje e teori komploti se ç’ndodh brenda spitaleve Covid-19.

Psikiatrit dhe psikologët ishin të parët që ngritën shqetësimin, duke sugjeruar ndoshta edhe një kontroll psikologjik të të shtruarve, që bashkë me sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, mund të mbartin historik të shqetësimeve të shëndetit mendor.

Të tjerë hedhin hipoteza se niveli i ulët i oksigjenit tek të prekurit me Covid-19, mund të shkaktojë halucinacione e për pasojë t’i çojë pacientë të caktuar të ndërmarrin akte ekstreme me fund tragjik dhe të tjerë akoma flasin për amplifikimin e gjendjes nga ankthi dhe paniku.

Nga rrëfimet e nënës së një 29-vjeçari që u hodh nga ballkoni i spitalit "Shefqet Ndroqi" pak kohë më parë, kuptohej gjendja e ankthit të pacientit, në mesazhet që u kishte dërguar të afërmve, para se të kryente vetëvrasjen. Të afërmit e dy pacientëve të tjerë, me të njëjtin fund tragjik të të riut, një 65 dhe një 52 vjeçar ndonëse pohonin gjendje të rënduar psikologjike gjatë ditëve të sëmundjes, mohonin një histori të problemeve të shëndetit mendor tek ata.

Pasho Maksuti

Psikiatri Pasho Maksuti thotë për Gazeta Si, se nuk e sheh problemin tek rënia e oksigjenit.

“Rënia e oksigjenit mund të  shkaktoje konfuzion mendor. Në  veprimet vetevrasëse mendoj se ndikon ankthi nga sëmundja”, shpjegon psikiatri i njohur, ndërsa shton se të panjohurat rreth ecurisë së  sëmundjes kanë  ndikim të  rëndësishëm.

“Fakti që, në  Shqipëri vetëvrasje dhe përpjekje për vetëvrasje kanë  kryer persona në  gjendje jo të  rëndë shëndetësore, me nivele normale të  oksigjenit, tregojnë se ulja e niveleve te oksigjenit, nuk është determinuese. Nuk mund të  them se rënia e niveleve të  oksigjenit ndikon në  manifestimin e shenjave te fshehura depresive apo të  ankthit”, vijon Maksuti, duke shtuar se tiparet e personalitetit  mund të  kenë ndikim për veprime të tilla. “Rrethanat nga sëmundja, sëbashku me të  gjitha faktorët e  tjerë që  ndërveprojnë, shtojnë stresin, ankthin dhe shpesh veprimet janë impulsive, të  pamenduara. Thjesht e kryejnë veprimin dhe më  pas, nëse mbijetojnë,  shpesh thonë: “Nuk e di përse e bëra, nuk duroja dot me"!. Pra është veprim kompleks dhe shpesh i paparashikueshëm.

Në një dalje për mediat, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se QSUT  ka  prej kohësh një pjesë të ekipit të saj punonjës socialë  dhe psikologë “që janë aty dhe janë pjesë e ekipeve që mbulojnë kujdesin e pacientëve dhe kemi marrë masat që edhe spitali “Shefqet Ndroqi”  prej disa kohësh ka psikologët dhe të gjithë këto modalitete  janë tashmë të vendosura në prioritetet e punës së Komitetit Teknik  të Ekspertëve për masat që janë marrë në kuadër të mbështetjes multidisiplinore të pacientëve”, tha Manastirliu.

Sipas një studimi nga Universiteti i Oksfordit, botuar në revistën “Lancet Psychiatry”,  një në 17 njerëz që kanë Covid-19, mund të diagnostikohet me ankth, depresion apo pagjumësi. Dhe, ata që nuk shtrohen në spitale me Covid-19 mund të kenë rrezik edhe më të lartë.  

Sipas profesorit të psikiatrisë Paul Harrison nga Universiteti  i Oksfordit, autori i studimit, thotë se njerëzit me Covid-19, “mund të jenë në rrezik edhe më të madh ndaj problemeve të shëndetit mendor”. Studimi zbuloi se pacientët ekzistues psikiatrikë, kishin 65 përqind më shumë gjasa të diagnostikoheshin me Covid-19.  Kjo mund të lidhet me shëndetin e tyre fizik apo mjekimet e rekomanduara për të trajtuar çrregullimet, kanë spekuluar kërkuesit shkencorë.

Në një tjetër studim të qershorit 2020, nga Departamenti i Psikiatrisë, në Universitetin Ramón y Cajal, në Madrid të Spanjës, thotë se Covid-19 paraqet një sfidë të madhe në fushën e psikiatrisë, si virusi ashtu edhe mjekimet e përdorura për të trajtuar atë, mund të çojë në simptoma neurologjike dhe psikiatrike.

Medikamente të përdorura për Covid-19,  janë nga ato antiretrovirale,  (lopinavir-ritonavir, darunavir, remdesivir), kortikosteroidët,  trajtimet biologjike  (tocilizumab), antiparasitiket  (hydroxychloroquine dhe  nitazoxanide) dhe antibiotikët (azithromycin).

Kortikosteroidet modulojnë hiper ninflamacionin dhe pengojnë përgjigjet imune, që janë jetike për mbrojtjen e të infektuarit  kundër virusit. Sidoqoftë, efektet anësore janë të zakonshme, duke u shfaqur në deri në 90% të pacientëve me më shumë se 60 ditë trajtimi, sipas diapazonit të dozës dhe rrugës së administrimit. Deficitet e kujtesës dhe dëmtimi konjitiv  janë përshkruar, ndoshta në lidhje me numrin e lartë të receptorëve kortikosteroide në hipokampus. Trajtimi në kohë të shkurtër me   dozë të  lartë të kortikosteroideve, siç ndodh në COVID-19, mund të shkaktojë delir  dhe ndryshime të humorit (me një frekuencë deri në 52% të pacientëve të trajtuar me më shumë se 20 mg në ditë prednisone gjatë 3 muajve),  me maninë dhe hipomaninë  më shpesh të vërejtura,  sesa depresioni.

Azitromicina është një antibiotik që është provuar të jetë aktiv “in vitro” kundër viruseve Zika dhe Ebola duke ndërhyrë në sintezën e tyre të proteinave. Karakteristikë dalluese e azitromicinës është përqendrimi i saj i lartë dhe i qëndrueshëm në indet e trurit, me sa duket për shkak të vetive të saj amfipatike dhe vëllimit të lartë të shpërndarjes. Ngjarjet negative neurologjike të raportuara në provat klinike të para marketingut ishin të lehta, që ndodhnin në më pak se 1% të pacientëve. Efektet serioze të padëshirueshme neuropsikiatrike si deliri janë raportuar rrallë tek të rriturit

Pavarësisht se nuk ka prova të qarta të efikasitetit të saj, duket e rëndësishme të përmendet klorokina dhe agjentët e lidhur, përdorimi me dhembshuri i të cilave bazohet në rolin që ata mund të kishin në ndalimin e stuhisë së citokinës e cila kontribuoi në shqetësimin e frymëmarrjes akute të shkaktuar nga SARS-CoV-2. Këto trajtime janë në gjendje të nxisin simptoma neuropsikiatrike nga të lehta (çrregullim humori, nervozizëm) deri në shkallë të rëndë (psikozë, prirje vetëvrasjeje) dhe administrimi i dozës së lartë është një parashikues i ndërlikimeve.

Përgatiti: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë