Keshilla

Vetëm 10 minuta në natyrë mund të ulin zemërimin tek fëmijët

Fëmijët që ishin më të lidhur me natyrën gjatë izolimit të parë të koronavirusit u zbulua se kishin sjellje më të mirë dhe mirëqenie të përgjithshme më të mirë.

Studiuesit morën në studim 376 familje me fëmijë të moshës tre deri në shtatë vjeç, duke i pyetur nëse lidhja e tyre me natyrën ishte rritur, zvogëluar apo kishte qëndruar e njëjtë midis prillit dhe korrikut të vitit të kaluar.

Prindërit u pyetën gjithashtu për sjelljen e përgjithshme të fëmijëve të tyre, përfshirë agresionin, hiperaktivitetin dhe veprimeve që lidheshin me zemërimin.

Rezultatet tregojnë se fëmijët që ishin më shumë të interesuar për natyrën kishin një nivel dukshëm më të ulët të problemeve të sjelljes sesa ata, lidhja e të cilëve ishte më e vogël me kopshtet, parqet dhe hapësirat e gjelbërta.

Ata gjithashtu kishin një nivel më të ulët të problemeve emocionale.

“Ne e dimë se qasja dhe përfshirja në natyrë shoqërohet me përfitime të mëdha tek fëmijët dhe të rriturit, duke përfshirë uljen e niveleve të ankthit dhe depresionit dhe zvogëlimin e stresit dhe lidhja me natyrën mund të ketë mbrojtur mirëqenien mendore të fëmijëve gjatë Covid-19”, tha Samantha Friedman, e cila drejtoi studimin nga Universiteti i Kembrixh.

Ajo tha se edhe vetëm 10 minuta në natyrë ndihmojnë.

Në studim, pothuajse 54 përqind e fëmijëve të vegjël kishin një "lidhje" më të thellë me natyrën gjatë izolimit të parë për Covid-19, sipas familjeve të tyre.

Prindërit më së shpeshti raportuan se kjo ndodhte sepse fëmijët e tyre u bënë më të vetëdijshëm për natyrën, dhe u interesuan ose u emocionuan prej saj dhe familja kishte më shumë kohë të lirë për të kaluar jashtë, duke bërë gjëra të tilla si mbjellja e luleve në kopsht.

Autorët e studimit sugjerojnë se projekte në shkolla dhe programet e mësimit të bazuara në natyrë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kohëve të vështira.

Elian Fink, bashkautor i studimit nga Universiteti i Sussex, tha se lidhja me natyrën mund të jetë një mënyrë efektive për të mbështetur mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht pasi fëmijët kthehen në rutinat normale.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë