Mendim

Venecia e zgjedhjet! Kristaq Kume: Kodi i ri nuk favorizon koalicionet. Ku gaboi opozita

Kristaq Kume Gazeta Si

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume thotë se nuk mund të parashikojë se çfarë do të përmbajë opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me adresimet e bëra nga Presidenti i Republikës për të gjithë procesin e ndryshimit të Kushtetutës më 30 korrik dhe të Kodit Zgjedhor më 5 tetor.

Por, Profesor Kume ndan bindjen se Presidenti ka vepruar drejt duke iu drejtuar këtij Komisioni, pasi vëren se lënda për të kërkuar një opinion ekspertësh nuk mungon. Në një intervistë për Gazetën “Si”, Kume ndan keqardhjen për paaftësinë e klasës politike shqiptare për të gjetur gjuhën e përbashkët, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për shumë të tjera, ndërsa thekson se Venecia mund të ishte shmangur nëse vendi do të kishte një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

“Venecia është një qëndrim i përsëritur i kushtëzuar nga fakti që ne sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Adresimi tek Venecia është konsideruar si rruga e vetme e mbetur në rastet kur mes palëve nuk ka dakordësi për të gjykuar dhe për t’u shprehur për atë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë duhet të bëhet. Me rëndësi është që në këtë rast ka lëndë për të kërkuar opinion nga Venecia”, thotë Profesor Kume.

Venecia pritet që të japë opinionin e saj në muajin dhjetor, kur edhe mblidhet në seancë plenare. Profesor Kume thotë se koha nuk premton që në rast se Komisioni do të kërkojë ndërhyrje tek ndryshimet në Kodin Zgjedhor, këto ndryshime të bëhen për zgjedhjet e 25 prillit, por thekson se ato janë të mirëpritura për proceset e tjera zgjedhore.

“Duke pasur parasysh lëndën se çfarë i kërkohet Venecias dhe çfarë presim mund të arrish në përfundimin se kjo është një rrugë e gjatë dhe nuk sjell efekte të menjëhershme. Rruga është e gjatë dhe e zor që do të sjellë rezultate për qëllimin që është bërë, pra për zgjedhjet e 25 prillit. Nëse opinioni do të kërkojë nevojën për të ndërhyrë tek këto ndryshime, mazhoranca ka thënë se do t’i trajtojë, por kjo nuk do të jetë e vlefshme për zgjedhjet e 25 prillit, por do të jenë të vlefshme për më tej”, thotë Kume për Gazetën “Si”.

Megjithatë, Kume vetë identifikon mes ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut edhe mospërputhje tek parashikimi që përcakton si sistem proporcional rajonal, ashtu edhe prag kombëtar.

“Ndryshimi e Kushtetutës, që për mua është vështirësisht i kuptueshëm ka të bëjë me përcaktimit që zgjedhjet të bëhen sipas sistemit proporcional rajonal, por me prag kombëtar. Këto të dyja me njëra-tjetrën nuk qëndrojnë për mendimin tim, veçanërisht në kushtet e Shqipërisë. Proporcionali rajonal bën që në çdo zonë zgjedhore të përcaktohet një prag natyral që del nga numri mandateve dhe vendosja e një pragu kombëtar bëhet vetëm kur shoqëria është e interesuar që të largojë nga skena politike ato subjekte të cilat sipas saj, nuk kanë efekte në qeverisje”, vijon ish-kreu i KQZ-së.

Profesori thotë se me ndryshimet e Kodit Zgjedhor listat hapen minimalisht, por vëren si mjaft pozitiv parashikimin kushtetues për hapjen e tyre, që e sheh si një derë që le të hapur mundësinë e hapjes së plotë të listave nëse partitë politike do të kenë vullnet.

“Kemi një përpjekje të keqpërdorur për hapjen e listave të parashikuara në Kushtetutë, e cila si e tillë ka hapur diskutimin, ka krijuar edhe mundësinë për t’u realizuar nesër, nëse do të ketë vullnete politike. Sot, asnjë palë nuk ka shprehur vullnetin për hapjen e listave. Listat quhen të hapura, por mënyra e administrimit të votës parapëlqyese dhe rregullit të konvertimit të votës në mandat është e ndërtuar që të mos ketë më shumë se 5 deputetë të zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli”, shpjegon Kume.

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjykon se formula e koalicioneve dhe sistemi proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore favorizon partitë që janë të gatshme të dalin në zgjedhje të vetme, që në këtë rast është Partia Socialiste. Por, Kume identifikon një mundësi të pashfrytëzuar nga opozita për të zbutur efektin negativ të tyre në maksimalizimin e votës mbështetëse të qytetarëve.

“Formula aktuale e koalicioneve favorizon partinë që është e gatshme të garojë e vetme, që është Partia Socialiste. Por, duhet të ishte kërkuar zvogëlimi i numrit të njësive zgjedhore në kuadër të zbatimit të sistemit proporcional rajonal që mbeti i pandryshuar në Kushtetutë. Në Kushtetutë është hequr dispozita që përcaktonte zhvillimin e zgjedhjeve në 12 qarqe, që do të thotë se mbetet e hapur çështja. Pse në të gjithë Shqipërinë të mos kishim dy njësi zgjedhore?! Pse nuk u diskutua asnjëherë nga askush kjo gjë? Mirë nga PS, sepse PS në llogaritjet që bën i intereson që nëse do t’i referohemi zgjedhjeve të 2017-ës të mbetet Shqipëria e ndarë në 12 zona zgjedhore, kështu siç është, po partitë e opozitës pse nuk e kanë trajtuar, kur nga llogaritë e bëra mund të marrin 2-3 deputetë më shumë me llogaritjet e votave të 2017-ës?”, u shpreh Kristaq Kume.

Në përpjekje për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Kume vëren se edhe Partisë Demokratike i ka interesuar mosndryshimi i zonave zgjedhore me shpresën se ndoshta do të mbledhë nën siglën e saj edhe votat e votuesve të partive të tjera.

Në fund, profesor Kume bën një parashikim të zymtë për fushatën zgjedhore, ku thotë se shpalosja e programeve nga ana e partive politike do të jetë gjëja e fundit.

“Zgjedhje po paraprihen nga një situatë jo e lehtë, jo e butë dhe situatë e ashpër politike. Situata mund të ashpërsohet edhe më tej sesa kaq. Do të jetë një diskurs i egër politik ku vendin më të papërfillshëm do të zerë programi i partive politike dhe procesi i ardhshëm zgjedhor, nuk do të jetë proces që do të marrë nota vlerësuese pozitive nga ndërkombëtarët dhe do të marrë akoma më shumë nota negative, sepse nuk do të jetë një proces që do të sjellë në Kuvend njerëzit e votuar nga populli”, mbyll fjalën e tij, Profesori Kristaq Kume.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë