Nga Gazeta Si- Gjykata Kushtetuese rrëzoi pjesërisht ligjin e qeverisë për studentët e mjekësisë, i cili i detyronte këta të fundit të punonit të paktën 5 vite në Shqipëri për të marrë diplomën.
Një ditë pas vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese studentët e mjekësisë, kanë dalë sot në një deklaratë duke thënë se janë dakord me atë çka është vendosur deri më tani dhe sipas tyre, Gjykata i kërkoi qeverisë atë që studentët kanë kërkuar prej kohësh, teksa shtuan se do të presin vendimin e arsyetuar. Sakaq, pohuan se nëse të drejtat e tyre cënohen, ata janë sërish gati që të mbushin sheshet dhe të protestojnë.
“Ne jemi dakord me vendimin. Gjykata Kushtetuese i kërkoi qeverisë atë që ne i kemi kërkuar prej kohësh, që të na dëgjojnë dhe të konsultohemi. Por në këtë moment do ishte e drejtë të dëgjoheshin të gjitha palët e interesit. Ka qenë situatë e vështirë, por beteja nuk përfundon këtu. Ne do vazhdojmë të presim vendimin e arsyetuar që më pas të dimë edhe ne se çfarë qëndrimi të mbajmë apo si të reagojmë në lidhje me këtë situatë”, thotë studentja e vitit të gjashtë, Dea Guri, duke shtuar se këmbëngulja nuk përfundon me aq, pasi janë të gatshëm të tregojnë përsëri se mund t’i mbushin sheshet nëse e drejta e tyre cënohet.
Të pyetur se çfarë mendimi kanë për faktin se tarifa prej 240 mijë lekësh nuk ishte përfshirë në vendimin e Gjykatës Kushtetues, studentët thanë se do presin vendimin e arsyetuar që të dinë më pas se çfarë hapash ligjor të marrin.
“Po presim vendimin e arsyetuar. Të shohim se çfarë paraqet vendimi përfunduar që më pas të dimë edhe ne sesi të veprojmë”.
Ndërkohë Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare thotë për Gazetasi.al se vendimi është një dispozitiv dhe ajo që thuhet në vendim e përfshin edhe çështjen e tarifës.
“Në vendim citohet “dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët”, pra çdo marrëveshje me studentët për të kufizuar marrjen e kartonit të diplomës në përfundim të studimeve nga ky moment e mbrapa është nul. Pavlefshmëria e kontratës, sjell edhe pavlefshmërinë e tarifës, e cila ishte kusht për lidhjen e kontratës”, thotë Qiraxhi, duke shtuar se kjo është një fitore e plotë e studentëve pasi “kurrsesi kuvendi nuk mund të përmbushë kërkesat e Gjykatës Kushtetuese në kohën e përcaktuar”.
“Në kuvend janë tashmë një mori vendimesh nga Gjykata Kushtetuese dhe është gati e pamundur që të shqyrtojë dhe formulojë të gjitha, përfshirë edhe vendimin për ligjin e studentëve, për 3 muaj siç është kërkuar kështu që kjo është një fitore e plotë”, përfundon Qiraxhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.