Lajme

Vendi nën pushtetin e borës, pezullim mësimi e pa energji

Reshjet e dëborës, temperaturat dhe ngricat prej disa ditësh mbizotërojnë në të gjithë territorin shqiptar, nga veriu në jug.
Moti i keq nuk ka sjellë vetëm vështirësi në rrugë, por edhe në pezullim mësimi, probleme me energjinë elektrike. Qarqet më të prekura janë Dibra, Kukësi, Korça dhe Shkodra ku raportohet për disa zona të bllokuara.
Fatmirësisht deri në këto momente nuk janë raportuar raste të emergjencave shëndetësore.

Dibër
Si pasojë e kësaj gjendjeje, procesi mësimor në ditën e sotme është pezulluar. Në Qarkun e Dibrës janë të bllokuara rrugët e fshatrave dhe trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Aksi nacional është i kalueshëm pa zinxhirë, ndërsa të gjitha akset e tjera janë të kalueshme me zinxhirë.

Korçë

Nga moti i keq dhe kushtet e vështira atmosferike, edhe në qarkun e Korçës raportohen problematika në qarkullim. Trashësia e dëborës në zonat malore shkon në 90 cm, ndërsa në qytet në 30 centimetra.

Të izoluar mbeten shumë fshatra. Zonat ku mungon energjia elektrike nga mbrëmja e djeshme janë Vithkuq, Lekas, Moglice, Panarit, Podgorie, Vreshtas, Sheqeras, Shëngjergj, Dardhas. Në gjithë qarkun është pezulluar mësimi.
Kukës
Reshjet e dëborës janë shoqëruar gjithashtu me problematika në qarkun e Kukësit, ndërsa shumë vende të thella malore janë të bllokuara dhe trashësia e dëborës arrin mbi 50 centimetër. Kjo gjithashtu është shoqëruar edhe me mungesë të furnizimit me energji elektrike.
Lezhë
Situata në Qarkun e Lezhës vijon të jetë problematike në disa zona. Situata raportohet më e qetë në Kurbin. Reshje dëbore me intensitet të lartë ka pasur në zonën e Gallatës. Rrugët janë të gjitha të kalueshme në Lezhë dhe procesi mësimor vijon pa ndërprerje.


Pukë
Reshjet e dëborës kanë paralizuar qarkullimin në gjithë fshatrat e Pukës, ndërsa kanë shkaktuar vështirësi qarkullimi edhe në akset nacionale.
Librazhd
Aksi i rrugës nacionale dhe të gjitha rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë, zonat e thella nuk kanë probleme me energjinë elektrike.
Gjirokastër
Ndonëse qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshjet e borës, të gjitha rrugët kombëtare janë hapur. Rrugët që aktualisht janë të bllokuara janë ato të fshatrave; Golem, Kolonjë, Picar, Fushë Bardhë, Zhulat, Prongji, Plesat, Labovë, Hundëkuq dhe Tërbuq. Sakaq, në rrugën e Lunxhërisë kalohet me vështirësi me zinxhirë, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në njësinë Administrative Antigonë. Rrugët në zonën muzeale janë të pakalueshme, ndërkohë që problematike mbetet situata edhe në qytet.

Pezullimi i mësimit

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka bërë me dije se për shkak të kushteve atmosferike të rënduara që vijojnë të jenë prezente në vendin tonë,
për datën 10 janar 2019, disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në disa shkolla.

Në 16 Drejtori dhe Zyra Arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë, Përmet, Kukës, Tropojë, Has, Dibër, Mat, Bulqizë, Korçë, Pogradec, Devoll, Mirditë dhe Malësi e Madhe, është pezulluar procesi mësimor për të gjithë nxënësit.

Në 6 Drejtori dhe Zyra Arsimore, mësimi është ndërprerë në disa shkolla si: Shkodër në 28 shkolla, Gramsh në 4 shkolla, Vlorë në 2 shkolla, Lezhë në 3 shkolla, Kolonjë në 4 shkolla dhe Delvinë në 1 shkollë.

Në Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore: Elbasan, Peqin, Tiranë Qytet, Tiranë Qark, Kavajë, Durrës, Fier, Lushnjë, Krujë, Kuçovë, Berat, Skrapar, Laç, Sarandë, Mallakastër etj, mësimi zhvillohet normalisht ose me orë të reduktuara.




Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë