Sporti luftarak i boksit është bërë edhe një herë tjetër arena e një tragjedie njerëzore. Pas rusit, Maxim Dadashev, një tjetër boksier ka humbur jetën pas duelit në ring. Është argjentinasi, Hugo Santillan, i cili nderroi jetë për shkak se plagët e pësuara gjatë një beteje për brezin e artë e kishin gjymtuar në disa pjesë të trupit.
23-vjeçari argjentinas u rrëzua në cepin e ringut të shtunën pak pasi beteja për rripin e kategorisë “WBC Latino Silver” me Eduardo Javier Abreu në Argjentinë përfundoi në barazim.
Ai u dërgua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua operacionit emergjent, por nuk mundi të mbijetonte. Ngjarja shkaktoi një panik dhe frikë të madhe tek tifozët që panë gjigandin argjentinas të shtrirë përtokë, pak minuta pasi kishte luftuar deri në fund në ring.
Santillan është boksieri i dytë që vdes nga lëndimet e marra në ring këtë javë pas vdekjes së Dadashev të martën. 28-vjeçari ishte shtruar në spital me hemorragji të premten e kaluar. Ai iu nënshtrua operacionit emergjent por nuk arriti të shërohet.
Këto dy vdekje në sportin e boksit kanë ngritur edhe një herë tjetër çështjen e madhe, nëse këto lloje sportesh duhet të lejohen më apo jo. Mbështetësit e idesë për mos t’i lejuar më këto lloje sportesh si boksi, thonë se ato përveçse mund të çojnë te vdekja, lënë edhe pasoja për të gjithë jetën tek ata që i ushtrojnë që në vegjëli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.