Komunitet

Vdekshmëria nga sëmundjet infektive në Shqipëri gjatë 2019-ës, 0,1 %

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2019 vdekshmëria në vend nga sëmundjet infektive ka qenë 0,1% e totalit të të gjitha vdekjeve nga arsye të ndryshme.

E përkthyer në shifër; 32 persona kanë vdekur në 2019 nga sëmundjet infektive dhe parazitare.

Koeficienti i vdekshmërisë për sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes është për burrat 23 për 100 mijë banorë dhe për gratë 13,6 për 100 mijë banorë.

Sëmundjet e frymëmarrjes nuk janë ato që kanë koefiçientin më të lartë të vdekshmërisë në vend, sipas të dhënave të INSTAT.

Grupi i sëmundjeve të “aparatit të qarkullimit të gjakut” janë shkaku kryesor i vdekjeve si tek burrat dhe tek gratë me një nivel vdekshmërie 422,6 për burrat dhe 397,5 për gratë, për 100 mijë banorë.

Grup-sëmundjet “Tumore” janë shkaku kryesor i vdekjeve tek meshkujt me një nivel vdekshmërie 159,4 për 100 mijë banorë, ndërsa për femrat 91,8 për 100 mijë. Gratë kanë nivelin më të lartë të vdekshmërisë në grupin e “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, 146,4 për gratë dhe 117,9 për burrat, për 100 mijë banorë.

Në vitin 2019, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 21.937, duke shënuar një rritje prej 133 vdekje më shumë se në vitin paraardhës (ose 0,6 %). Sipas gjinisë, 11.781 është numri i vdekjeve të raportuara për meshkuj (1,0 % më shumë se në vitin 2018) dhe 10.156 vdekje të raportuara për femra (0,2 % më shumë se në 2018).

Niveli bruto i vdekshmërisë për vitin 2019 është 768,6 vdekje për 100 mijë banorë përkundrejt 760,6 që ishte në vitin 2018.

Referuar shkaqeve të vdekjeve, peshën më të madhe e zënë vdekjet nga “shkaqet natyrale” 94,1 %, ndjekur nga “Aksidentet” me 2,4 %.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë