Nga Gazeta ‘Si’– Pirja e duhanit, përdorimi i vape-ve apo qeseve me nikotinë – edhe pse jo të gjitha kanë të njëjtin nivel rreziku- dëmtojnë shëndetin kardiovaskular.
Nikotina është e dëmshme për zemrën dhe enët e gjakut, pavarësisht nëse merret përmes një cigareje apo produkteve të tjera të duhanit, sipas një rishikimi të gjerë të publikuar sot në Nature Reviews Cardiology.
Edhe produktet e reja me nikotinë, si cigaret elektronike dhe qeset me nikotinë, që shmangin tymin dhe djegien, nuk e eliminojnë rrezikun për sistemin kardiovaskular.
Studimi nuk pretendon se të gjitha produktet me nikotinë kanë të njëjtin nivel rreziku. Cigaret tradicionale dhe nargjilet mbeten më të dëmshmet, kryesisht për shkak të kimikateve toksike që çlirohen gjatë djegies. Megjithatë, studiuesit argumentojnë se eliminimi i tymit nuk do të thotë eliminim i dëmit kardiovaskular.
Në vend të kësaj, studiuesit përshkruajnë një “vazhdimësi të dëmit kardiovaskular”: në krye qëndrojnë produktet e djegshme, të ndjekura nga produktet e duhanit të ngrohur, cigaret elektronike dhe produktet orale me nikotinë, si duhani përtypës dhe qeset me nikotinë.
Pra, shmangia e tymit mund ta ulë dëmin kardiovaskular, por heqja dorë plotësisht nga nikotina është mënyra e vetme për të eliminuar rrezikun kardiovaskular që lidhet me të.
‘Goditja e dyfishtë’ e nikotinës
Studiuesit analizuan mënyrën se si nikotina dëmton sistemin kardiovaskular, duke ndjekur procesin biologjik që nga ndërveprimi i nikotinës me receptorët në enët e gjakut deri te mekanizmat që mund të çojnë në aterosklerozë, infarkt dhe goditje në tru.
Ata identifikuan dy mekanizma kryesorë përmes të cilëve nikotina mund të dëmtojë enët e gjakut.
Së pari, nikotina ndikon te endoteli, shtresa e hollë e qelizave që vesh pjesën e brendshme të enëve të gjakut. Ajo frenon prodhimin e prostaciklinës, e cila ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut, ndërsa rrit nivelin e endotelina-1, një hormon i fuqishëm që shkakton ngushtimin e tyre.
Nikotina vepron gjithashtu drejtpërdrejt mbi qelizat e muskujve të lëmuar të enëve të gjakut, të cilat kontrollojnë diametrin e tyre. Duke ndërhyrë në kanalet e kaliumit dhe në rregullimin e kalciumit, ajo mund të shkaktojë ngushtimin e enëve edhe kur shtresa e brendshme e tyre nuk është dëmtuar drejtpërdrejt.
Studiuesit theksojnë gjithashtu stresin oksidativ, ngurtësimin e arterieve dhe proceset inflamatore si pasoja të zakonshme të ekspozimit ndaj nikotinës. Sipas tyre, dëmtimi i funksionit të endotelit është një nga shenjat e hershme të dëmtimit kardiovaskular.
Si pasojë, enët e gjakut ngushtohen më lehtë, relaksohen më pak dhe bëhen më të prirura ndaj inflamacionit dhe mpiksjes së gjakut.
“Është e qartë se nikotina është një faktor aktiv në dëmtimin e endotelit, hapi i hershëm drejt aterosklerozës, hipertensionit dhe insuficiencës kardiake – dhe vetëm abstinenca është pa rrezik”, tha Filippo Crea, një nga autorët e studimit.
Gjetjet vijnë në një kohë kur BE-ja po përgatitet të rishikojë kuadrin e saj për kontrollin e duhanit, ndërsa Brukseli përpiqet të përballet me rënien e përdorimit të cigareve tradicionale dhe rritjen e shpejtë të cigareve elektronike, produkteve të duhanit të ngrohur dhe qeseve me nikotinë.
“Tokiciteti kardiovaskular i nikotinës në nivel molekular, së bashku me potencialin e saj të dokumentuar për të shkaktuar varësi, e bën të nevojshme një qasje të unifikuar rregullatore për produktet me nikotinë, në vend të rregullave të ndryshme për secilin produkt”, tha Münzel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje