Shendet

Vdekjet që vijnë nga ajri i ndotur: Raporte ka shumë por masa pak

Shumë raporte kanë treguar se ndotja e mjedisit, në forma të ndryshme, ka ndikuar në shëndetin e shqiptarëve.
Një raport i fundit i Institutit të Efekteve Shëndetësore (HEI), tregoi se në vendin tonë rreth 1300-1500 vdekje në vit ndodhin për shkak të ndotjes së mjedisit. Sipas të dhënave, PM2.5 (grimcat e vogla) në natyrë ishte zinte numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit.

Të dhëna nga HEI.


Edhe në një raport të Agjencisë Kombëtarë të Mjedisit të publikuar në muajin korrik, u konfirmua gjithashtu prezenca e ndotjes së ajrit në vend. Ndërsa edhe monitorimet e organizatës Co-PLAN gjatë pandemisë COVID-19 treguan se në Tiranë (si qyteti me sasi më të mëdha shkarkimesh në ajër), pavarësisht karantinës nuk pati ulje domethënëse të niveleve të pluhurit.

“Të dhënat për ndotjen nga zhurmat, gjithashtu, tejkalojnë standardin e lejuar si gjatë paradites edhe gjatë mbrëmjes. Në total, vlerësojmë se mbi gjysmë milion qytetarë të Republikës së Shqipërisë, operojnë çdo ditë nën ekspozimin dhe ndikimet e zhurmave dhe ndotësve të ajrit”, shkruhet në raport.
Nëse kërkojmë do të dalin shumë raporte të tjera për ndikimin e ndotjes së mjedisit në shëndetin e shqiptarëve.

LEXO EDHE:
-Raporti: Në Shqipëri ka një rritje prej 21.4% të vdekjeve që vijnë për shkak të ndotjes së ajrit
-Raporti: Ndotja e ajrit e parikuperueshme, por edhe zhurma po çmend qytetet tona
-Cilësia e ajrit dhe ndotja industriale, probleme me lindjet dhe shëndetin e bebeve
-Ndotja e ajrit – Agjencia Europiane e Mjedisit: Shqipëria ende larg standardeve
-Raporti i OKB: Ndotja e mjedisit po vret 15 herë më shumë se luftërat, vrasjet dhe format e tjera të dhunës


Por nëse kërkojmë për masat që janë marrë për menaxhimin e ndotjes, projektet numërohen me gishtat e dorës.

Në vitin 2019 u miratua “Plani Kombëtar i Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit”, i cili fokusohet në mbrojtjen e cilësisë së mirë të ajrit në Shqipëri.

Në dokument vërehet se do të monitorohej ajri dhe niveli i kimikateve që qarkullojnë. Por, në raportin e fundit të publikuar në nëntor të vitit të shkuar mbi cilësinë e ajrit në Europë, Agjencia Europiane e Mjedisit, thotë se Shqipëria është shumë larg përmbushjes së kërkesave të BE-së për ndotjen.
Sipas agjencisë, Shqipëria e ka kaluar vijën e kuqe.

“Grimcat e pluhurit në Shqipëri, shkaktojnë rreth 1400 vdekje të parakohshme në vit. Një tjetër shkaktar është dioksidi i azotit, i cili është një produkt i drejtpërdrejtë i gazrave të emetuara nga automjetet. Është vlerësuar se kjo substancë shkakton 130 vdekje të parakohshme në vit në Shqipëri”, shkruan gazeta “Ibna”
Sipas agjencisë, Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara ndaj ndotjes në Europë.
Ndërkaq, të dhënat e fundit që gjejmë për ndikimin e ndotjes së mjedisit në shëndet janë ato të raportit të Institutit të Shëndetit Publik në vitin 2015.

Sipas të dhënave, ajri që thithin Shqiptarët mban nivele të ndryshme të ndotësve.
Përgjithësisht ndotja më e madhe në të dhënat e vitit 2014, vijnë si pasojë e automjeteve. Më pas duke iu referuar të dhënave të ISHP, kjo ndikon në shëndet duke sjellë një sërë sëmundjesh. Ndër kryesoret mbeten sëmundjet kronike.

Të dhënat nga HEI.


Gjetjet treguan se problemet shëndetësore vijnë kryesisht nga prezenca e tepërt e dyoksidit të squfurit, oksideve të azotit, ozonit, monoksidit të karbonit. Gjithashtu është vërejtur edhe prezenca e përbërësve organik volativ të tillë si benzeni. Problemet më të shumta janë problemet respiratore dhe kardiovaskulare.
Nisur nga të dhënat ka shumë pikëpyetje se si do mbrohet shëndeti i shqiptarëve nga ndotja e mjedisit.
Por ndër pyetjet kryesore që duhet t’i drejtohet autoriteteve përgjegjëse është: Si mund t’i zgjidhin këto problematika kur buxheti i shtetit për mjedisin është 0.7%?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë