Para

Vdekjet nga pandemia mbyllën 16% më shumë pensione në 2020

Pandemia pati fatalitete më të mëdha në moshën e tretë, çka rriti numrin e personave që dolën nga skema e pensioneve si pasojë e humbjes të jetës.

Sipas statistikave nga INSTAT, në vitin 2020 vdekjet shtesë ishin 5600 persona më shumë në krahasim me vitin 2019.

Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH)  tregojnë se pensionet e mbyllura në 2020 ishin në total 15,590, duke pësuar një rritje të ndjeshme prej 16% nga viti i mëparshëm.

Shtesa e pensioneve të mbyllura në vitin 2020 ishte mbi 2200 persona mbi mesataren e dy viteve të fundit.

Gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019 dolën mesatarisht rreth 13 mijë persona nga skema e pensioneve për shkak se nuk jetojnë.

Paralelisht me sektorë të tjerë, pandemia ndikoi negativisht edhe në skemën e sigurimeve shoqërore ku të ardhurat nga kontributet shënuan rënie me 1.6%  dhe shpenzimet u rritën me 1.5%.

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve dhe rrjedhimisht edhe nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve.

Statistikat zyrtare të ISSH-së raportojnë se në vitin 2010 ishin rreth 543 953 pensionistë ndërsa në fund të vitit 2020 raportohen 665,863, duke pësuar një rritje me 22%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë