Futboll

Vazhdon mallkimi i Tiranës, një pikë ngushëlluese me Skënderbeun

Fatjon Rupi - Fitorja vazhdon të jetë thjesht një dëshirë për Tiranën edhe pas ndërrimit të trajnerit. Ardian Mema nuk e ka shijuar ende suksesin në krye të Tiranës, që përsërit të njëjtat gabime në çdo ndeshje. Edhe me Skënderbeun, mbrojtja e saj ka gabuar fatalisht, duke i "falur" një gol Skënderbeut. Korçarët, pas këtij barazimi në transfertë, i janë afruar një pikë Partizanit dhe mund të përfitojnë më shumë javën e ardhshme, duke ditur se luhet derbi Partizani-Tirana. Ndeshja është luajtur pa tifozë dhe ka dhuruar pak emocione.

Loja ka pasur ritëm në pjesën e parë, me të dyja skuadrat në kërkim të golit, por më shumë ka shtyrë përpara Tirana. Skënderbeu është mbrojtur me kujdes dhe e ka kërkuar golin me goditjet standarde. Pikërisht në një të tilla e ka gjetur, kur krosin e kapitenit Radas e ka devijuar saktë Bruno Dita. Mbrojtja e Tiranës ka qenë në "gjumë", megjithatë skuadra bardheblu ka reaguar dhe ka barazuar në fundin e pjesës së parë me Sentamu, pas një veprimi të bukur teknik të Grecës, që i ka shërbyer saktë.

Pjesa e dytë ka qenë e varfër në raste, duke përjashtuar një rast të Krasniqit, gjuajtja e të cilit është grushtuar nga portieri Abibi. Edhe ndërrimet e trajnerëve Mema e Shehi nuk sollën ndryshim rezultati dhe gjithçka u mbyll 1-1.

Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi pranoi se barazimi ishte rezultati më i drejtë: "Mund ta fitonim ndeshjen, por me atë që u dha në fushë, them se ky rezultat është më i drejti. Për ne nuk është një hap fals, edhe pse nuk arritëm të përfitonim më shumë nga ndalesa e rivalit tonë në Vlorë.

Trajneri Mema nuk i ka kursyer sërish kritikat për të tijtë, duke theksuar se nuk i kupton ato gabime të pafalshme. "Papërgjegjshmëria e lojtarëve po na ndëshkon, sidomos në mbrojtje. Do të doja të kisha lojtarë të tjerë në skuadër", - u shpreh trajneri i Tiranës, që me këtë ecuri do të ketë të vështirë edhe mbijetesën. Bardheblutë kanë shtatë javë që nuk fitojnë një ndeshje në kampionat dhe shkojnë në derbi me moral të ulët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë