Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka organizuar sot një tryezë për respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi se respektimi i minoriteteve mbetet sfidë e papërmbushur.
“Mund të kemi një shtet funksional, një parlament të zgjedhur me zgjedhje të lira, por nëse nuk kemi garantuar respektimin e të drejtave të minoriteteve ende do të jemi një sistem hibrid, i cili nuk ka arritur atë që është thelbësore, barazinë.
Garantimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të minoriteteve në hapësirën e Europës së sotme garantohet nga konventat. Strumbullari është konventa kuadër e Këshillit të Europës për mbrojtjen e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Ky dokument është ratifikuar nga vendi ynë në vitin 1999. Plot 21 vite.
Ky është dokument kuadër dhe kërkon sanksionimin e aspekteve ligjore që ta bëjë të zbatueshëm. Prej vitesh kjo ka qenë kërkesa jonë”, u shpreh Dule.
Dule ndër të tjera tha se “problemet me minoritetet janë disavjeçare, që nga rënia e regjimit totalitar dhe se kush ngre zërin për të drejtat e minoriteteve është subjekt paragjykimi”.
Ai tha më tej se nuk mund të ketë integrim pa respektimin e të drejtave të minoriteteve, pasi mbrojtja e minoriteteve tregon nivelin e demokracisë
“Jemi një vend që aspirojmë të jemi si të barabartë në familjen europiane. A mund të ndodhë kjo pa u europianizuar. Integrimi në BE do të thotë europianizim i vazhdueshëm në çdo fushë të jetës.
Beteja jonë është një betejë komplekse, e vështirë. Ndërlikimi i situatës politike si aktualisht e bën dhe më të vështirë. Ne kemi aleatë kohën dhe durimin tonë. Respektimi i të drejtave të minoriteteve do të bëhet realitet se rrugë tjetër nuk ka. Ne nga ana jonë, përgatitëm një projektligj në tërësinë e vet, por nuk u mor parasysh. Ligji për minoritetin, i pazbatueshëm me qëllim”, theksoi kreu i PBDNJ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.