Futboll

“Valsi” i trajnerëve në ekipet e mëdha europiane

Kjo merkato verë si rrallëherë më parë na ka shfaqur një vals të vërtetë me trajnerët që kanë ndryshuar skuadra. Janë disa nga skuadrat më të mëdha në Europë që i kanë ndryshuar trajnerët e tyre gjatë kësaj verë dhe motivet janë të larmishme.

Real Madrid - Julen Lopetegui

I pari në këtë listë, pa dyshim që është më i bujshmi. Julen Lopetegui la stolin e kombëtares së Spanjës vetëm dy ditë para fillimit të kampionatit botëror, për të marrë drejtimin e skuadrës tre herë radhazi kampione e Europës. Pasi Zidane lajmëroi largimin nga drejtimi i skuadrës “Los Blancos” në Madrid çdo ditë qarkullon emra të ndryshëm për të marrë drejtimin e klubit mbretëror. Por presidenti Florentino Perez zgjodhi atë që ishte përfolur më pak dhe që i befasoi të gjithë tifozë dhe gazetarë. Edhe pse ka një skuadër të mbushur me kampionë, rruga e Julen Lopetegui te Real Madrid është malore, duke filluar që nga largimi i Cristiano Ronaldo, ngopja me trofe e një pjesë të mirë të lojtarëve, por edhe ruajtja e balancave brenda ekipit.

PSG - Thomas Tuchel

Është një nga rastet e rrallë që një trajner gjerman të drejtojë në Francë. Por Thomas Tuchel ka treguar në të shkuarën që ai mund të bashkëjetojë shumë mirë me presionin dhe dëshiron që çdo gjë ta kthejë sfidë. Pas një eksperience pozitive te Borussia Dordmund, Tuchel ka kaluar te kampionët francez gjatë kësaj vere me një qëllim të vetëm, të fitojë Ligën e Kampionëve. Në një skuadër të mbushur me kampionë, në pamje të parë ky objektiv nuk duket shumë i vështirë. Por nëse do të shikosh se çfarë ka ndodhur me ekipin francez në paraqitjet e tij në 3 vitet e fundit në Champions League, atëherë fillon të kuptosh që detyra e gjermanit në Francë nuk është aq e thjeshtë sa duket. Koleksionin e madh të yjeve në skuadër, Tuchel duhet ta bëjë ekip dhe të fitojë “trofeun veshgjatë”.

Bayern Munich: Niko Kovac

Detyra e kroatit është e thjeshtë, titujve kampion në Bundesligë duhet t’i shtojë edhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Ish-mbrojtësi është për herë të parë në stolin e një skuadre të rëndësishme dhe detyra e tij nuk është e lehtë edhe pse duhet thënë se me skuadrën që ka në dispozicion gjerat bëhen pak më të thjeshta. Me disa goditje në merkato dhe më shumë punë për të forcuar frymën e grupit, objektivi i vetëm është për të çuar në Bavari trofeun numër gjashtë të Ligës së Kampionëve. Kovaç ka një skuadër për të ngritur nga e para, pas sezonit të rrëmujshëm vitin e shkuar, por duhet të ketë kujdes, pasi Lucien Favre më Dortmundin e tij është gati bërë të bërë surprizën

Napoli - Carlo Ancelotti

U bënë gati 10 vjet tashmë që Napoli është në nivele të larta në futbollin italian, duke arritur një sërë suksesesh. Por për tifozët e zjarrtë napolitan nuk është arritur asgjë, pasi ende nuk është fituar titulli kampion. Për ta arritur këtë presidenti kineast i Napolit, Aurelio De Laurentis ka ulur në bankinën e “të kaltërve” një emër mitik të trajnigut italian si Carlo Ancelotti. Ish-trajneri “kuq e zi” pas disa viteve migrim në të gjitha kampionatet më të rëndësishme në Europë, “Don Carlo” është rikthyer në Serie A. Në prezantimin e tij te Napoli bashkë me presidentin De Laurentis u shpreh se është rikthyer në Serie A për të sjellë pas më shumë se 30 vite titullin kampion në jugun e Italisë. Për teknikun që ka fituar gjithçka në karrierën e tij, detyra do të jetë shumë e vështirë nëse do të shikonim rivalët dhe rritjen e madhe që ato kanë bërë, duke filluar që nga Juventus, te dy milanezet por edhe Roma ka krijuar një ekip potent.

Chelsea - Maurizio Sarri

Rasti i tij është shumë i rrallë. Për pak ditë mbush plot 60 vjeç, por ka vetëm katër vite është në elitën e trajnigut botëror, ku më herët kishte punuar gjithmonë me ekipe të nivelit të dytë në Serie A dhe në Serie B. Sarri u ul në stolin e Chelsea për të zëvendësuar një tjetër patriot të tijin, si Antonio Conte që u largua mes polemikash nga Londra. Ndryshe nga patrioti i tij para dy vitesh që bëri blerje të bujshme, Sarri ka filluar me një profil të ulët te Chelsea. Por edhe pse pa shumë shpenzime, Sarri ka bërë shumë mirë në javët e para të Premier League. Objektivi i tij është titulli kampion në Angli dhe të shkojë sa më larg në Ligën e Kampionëve. Si gjithmonë edhe këtë herë Sarri e ka marrë me vete një beniamin. Por ndryshe nga herët e para, këtë herë ai është Jorxhino që la Napolin për të luajtur në mesfushën e londinezëve.

Unai Emery: Arsenal

Spanjolli ndoshta ka misionin më të lehtë nga të gjithë, “Mos u bëj një David Moyes i dytë”. Tifozët e Arsenal i druhen një shpërfytyrimi të skuadrës së tyre si pasojë e largimit të Venger pas më shumë se 25 vite. Për të shmangur këtë dekadencë drejtuesit londinez kanë marrë në stol një trajner që di si fitohen titujt dhe për më tepër ka fituar një eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Unai Emery pas përvojës shumë pozitive në ekipet spanjolle, në Francë nuk mundi dot të shkëlqejë, ndoshta jo vetëm për fajin e tij. Tek Arsenal, Emeri do të ketë shumë punë, së pari për të ndryshuar mentalitetin e një skuadre që në 15 vitet e fundit trofetë i ka parë me dylbi. Por edhe për sa i përket talenteve që prodhon, Emeri duhet të punojë që ata të qëndrojnë për të fituar dhe jo thjesht ta shikojnë Arsenalin si një trampolinë për të shkuar diku tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë