Nga Gazeta Si- Ndërkohë që temperaturat e larta kanë mbërthyer vendin tonë, ato janë një rrezik për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Mjekja e Institutit të Shëndetit Publik Dr. Rudina Cumashi apelon për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke rekomanduar hidratim të vazhdueshëm, shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe qëndrim në ambiente të freskëta.
Sipas saj, gjatë stinës së verës dhe valëve të të nxehtit, temperaturat e larta mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore, duke rritur rrezikun e dehidrimit, goditjes nga i nxehti dhe komplikacionet tek personat me sëmundje kronike.
Cumashi thekson se të gjithë janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga temperaturat e larta, por grupet më vulnerabël mbeten fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë, personat që jetojnë vetëm, gratë shtatzëna dhe individët që punojnë në ambiente të hapura.
“Rekomandojmë kufizimin e daljeve gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në 18:00, qëndrimin në ambiente të freskëta dhe mbajtjen e trupit të hidratuar. Nëse është e domosdoshme të dalim jashtë, duhet të vishemi me rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, të përdorim syze dielli, kapele dhe të kemi gjithmonë me vete një shishe ujë”, këshillon ajo.

Po ashtu, rekomandohet konsumimi i rregullt i ujit për të shmangur dehidrimin, ndërsa duhet të kufizohet përdorimi i kafesë, pijeve alkoolike dhe atyre të gazuara.
Mjekja Cumashi gjithashtu sugjeron një ushqyerje të shëndetshme, të pasur me zarzavate dhe fruta të freskëta ndërsa duhet ti kushtohet kujdes i veçantë ruajtjes së ushqimit pasi për shkak të temperaturave të larta, rrezikon të prishet më shpejt.
Dr. Cumashi këshillon njëherësh që personat që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës apo çrregullime të shëndetit mendor të konsultohen me mjekun e familjes ose specialistin përkatës për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje