Shendet

Vala e re e infektimeve me Covid-19, Bino: Do të vazhdojë trendi rritës nëse njerëzit nuk vaksinohen

Nga Anxhela Çelanji - Në dy ditët e fundit infektimet nga Covid-19 kanë pësuar rritje (të hënën 90 qytetarë dhe të martën 550), pasur nga një numër i lartë testimesh.
Ndërkohë, pas dy muajsh janë shënuar edhe dy vdekje në moshë madhore. Mjekët e spitalit i shpjeguan Gazetasi.al se të dy qytetarët ishin të pa vaksinuar dhe me probleme shoqëruese.


Në spitalin COVID3 po marrin trajtim 19 pacientë dhe në të gjithë vendin janë 2,164 qytetarë aktivë me Covid-19.

Silva Bino, Shefe e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP-Gazeta "Si"-29.06.2022


Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, i shpjegoi Gazetasi.al se me këtë ritëm, nëse njerëzit nuk vaksinohen infektimet do të vijojnë të rriten edhe më shumë.

Bino shton se në vend qarkullon Omicron dhe nënvariantet. Ndërkohë që shpjegon se rritja e infektimeve nuk ka ndikuar në rritjen e vaksinimeve.


“Njerëzit duhet të vaksinohen dhe vetëm në këtë mënyrë do të parandalohen vdekjet, format e rënda dhe shtrimet. Duhet të aplikojnë dozat e treta ata që kanë mbi 3 muaj të dozës së dytë”, shpjegon Bino e cila thekson se vaksinimi është i domosdoshëm.

Më herët mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti i ka shpjeguar Gazetasi.al se në Europë 37 për qind nga infektimet me Covid-19 janë BA5, 10 për qind janë BA4 dhe 47 për qind janë Omicron BA2.

Nuk ka masa kufizuese


"Por nën varianti BA5 po bëhet dominant dhe këtë e vërtetojnë rritjet e rasteve sikurse dhe në vendin tonë. Por problemi qëndron në faktin që në Shqipëri nuk kryhen analiza për identifikimin e nën tipeve të virusit Covid-19", është shprehur Alimehmeti.

Gra me ushqime në duar para spitalit Covid3-LSA-Gazeta "Si"-29.06.2022


Sipas mjekut vendi ynë ka dy javë që ka hyrë në një valë të re infektimesh. Sipas tij mendohet të qëndrojë dhe për dy muajt e verës si pasojë e shtimit të numrit të turistëve që pushojnë në Shqipëri, apo dhe si pasojë e udhëtimeve jashtë vendit.

Ndërkohë, që prej datës 1 maj të këtij viti Komiteti Teknik i Ekspertëve hoqi të gjitha masat për parandalimin e Covid-19. U vendos nga ekspertët që për të gjitha udhëtimet drejt Shqipërisë, të mos kërkohej asnjë dokument lidhur me Covid-19.


Gjithashtu nuk ka më asnjë masë lidhur me distancimin social apo mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura. Rregulla këto që për dy vite u përfolën se minimizuan infeksionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë