Bota

Vaksinimi me Sputnik V do të kushtojë më pak se 20 dollarë

Mbështetësit financiarë dhe zhvilluesit e vaksinës ruse për koronavirus, Sputnik V, kanë thënë se dy dozat e nevojshme për vaksinim të një personi do të kushtojnë “më pak se 20 dollarë” në tregjet ndërkombëtare derisa në Rusi do të jenë falas.

Çmimi në tregun ndërkombëtar për Sputnik V është më i lirë sesa ai i vaksinave të rivalëve perëndimorë sikurse vaksina e prodhuar nga Pfizer, e cila kushton më shumë se 18 dollarë për një vaksinë.

Megjithatë, vaksina ruse është shumë më e shtrenjtë sesa ajo e prodhuar nga AstraZeneca, e cila në Europë do të shitet për 3 dollarë.

Fondi sovran i pasurisë në Rusi, ka thënë përmes një deklarate se Moska dhe partnerët e saj të huaj, kanë kapacitet që të prodhojnë më shumë se 1 miliard doza të vaksinës vitin e ardhshëm, të mjaftueshme për të vaksinuar më shumë se 500 milionë persona.

Përmes një deklarate tjetër, Ministria ruse e Shëndetësisë ka thënë se testimet e reja klinike tregojnë se vaksina Sputnik V ka qenë 91.4 për qind efektive në ditën e 28-të dhe mbi 95 për qind efektive në ditën e 42-të pas vaksinimit. Këta trupa kanë thënë se 22,000 vullnetarë janë vaksinuar me dozën e parë dhe më shumë se 19,000 kanë marrë të dyja dozat.

Testimet janë duke u kryer edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Venezuelë dhe Bjellorusi, bazuar në deklaratë. Rusia ka qenë shteti i parë që ka miratuar vaksinën për koronavirus për përdorim të gjerë në publik, duke e regjistruar vaksinën Sputnik V në muajin gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë