Diplomatët më të lartë të Lindjes së Mesme kanë paralajmëruar se një përshkallëzim i luftës midis SHBA-së dhe Iranit ndoshta do të ishte edhe më dëmtues sesa raundet e mëparshme të konfliktit.
“Jemi shumë të bindur se raundi i dytë do të jetë më i rrezikshëm, më shkatërrues dhe nuk do të çojë askund’, tha të shtunën ministri i jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.
“Duhet të angazhohemi për de-eskalim, për nxitjen dhe forcimin e dialogut e të diplomacisë. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, siç e përmenda, nga një tjetër valë përshkallëzimi. Ajo do të jetë më shkatërruese dhe do të ketë pasoja më të rrezikshme, jo vetëm për sigurinë ushqimore dhe atë energjetike, por edhe për të gjitha objektivat, instalimet apo objektet kritike në mbarë rajonin”, tha Badr Abdelatty, ministri i Jashtëm Egjiptian.
Katari po udhëheq përpjekjet rajonale për të ndërmjetësuar një marrëveshje të përkohshme midis SHBA-së dhe Iranit përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA javën e ardhshme. Zyrtarët iranianë kaluan të shtunën dhe të dielën në Doha për bisedime me ndërmjetësuesit pasi një delegacion i Katarit vizitoi Teheranin të premten.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, diskutuan në një telefonatë për sulme të reja të mundshme ndaj Iranit. Gjatë bisedës të dy diskutuan statusin e përpjekjeve të ndërmjetësimit, raportoi portali i lajmeve Axios, duke cituar zyrtarë qeveritarë nga të dy vendet. Netanyahu thuhet se nxiti një sulm të ri ndaj Iranit menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA të martën, ndërsa Trump preferoi një vazhdim të përpjekjeve diplomatike.
Irani ka premtuar një përgjigje të ashpër, duke shkaktuar frikë në Gjirin Persik se vendet energjetike të rajonit dhe infrastruktura tjetër civile, nga aeroportet te impiantet e desalinizimit, do të jenë përsëri në shënjestër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje