Shendet

Vaksinimi anticovid, Sulçebe: Infeksionet në rritje nga fëmijët, dozat e treta dhe të katërta të rëndësishme

Gazeta Si - Me rritjen e mëtejshme të rasteve të infeksioneve nga nënvarianti i Omicron BA5, ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë kryerjen e dozës përforcuese të tretë tek moshat mbi 50-veç, si dhe dozën e katërt tek grup moshat mbi 70 -vjeç.


I kontaktuar nga Gazetasi.al imunologu Genc Sulçebe, tha se imuniteti i krijuar nga dy dozat e vaksinës tashmë ka përfunduar dhe për t’u ruajtur nga format e rënda nevojiten dozat përforcuese dhe doza e katërt.
“Unë i referohem studimeve amerikane dhe çfarë po aplikohet në SHBA. Doza e tretë siç njihet doza përforcuese mbron me 80 përqind pacientin nga format e rënda të Covid-19.

Ndërsa doza e katërt e mbron mbi 90 përqind nga simptomat e rënda që mund ta detyrojnë të sëmurin të shtrohet në spital.


Doktor Sulçebe e sheh të nevojshme aplikimin e vaksinave tek fëmijët dhe gratë shtatzëna

Sipas tij, në Amerikë po aplikohet tek bebet mbi 6 muaj dhe gratë shtatzëna pas 3-mujorit të parë të barrës.

“Studimet kanë treguar se fëmijët që lindin nga nëna të pavaksinuara nga Covid, shfaqin probleme të zhvillimit. Ndaj rekomandohet kryerja e vaksinës dhe tek gratë shtatzëna që në muajin e katërt e më tej, si dhe tek bebet mbi 6 muaj pas lindjes”, thotë doktor Genc Sulçebe.

Imunologu Genc Sulçebe-Gazeta "Si"-06.07.2022.


Imunologu i njohur thotë se shifrat në rritje me nënvariantin Omicron BA5, janë dhe si pasojë e përhapjes së virusit nga fëmijët.

Kjo kategori duket më pak e vaksinuar në raport me adultët ndaj këtu duhet të fokusohet vëmendja e sistemit shëndetësor.
“Infeksioni sot po përhapet nga fëmijët tek prindërit dhe gjyshërit. Është e nevojshme të kryejmë fushata ndërgjegjësimi për vaksinimin e fëmijëve sepse ata janë burim infeksioni”, thotë doktor Sulçebe.

Më tej, imunologu Sulçebe, thotë se 3 vjet pas fillimit të pandemisë, imuniteti në popullatën e Tiranës është rritur mbi 90 për qind, nga 74 % që u raportua verën e shkuar. (Të dhëna janë nga studimi i ekspertëve Sulçebe dhe Ylli së bashku me Akademinë e Shkencave)


Por ai thekson se ky imunitet i fituar qoftë nga infektimi prej virusit apo qoftë nga mbrojtja me 2 doza vaksine, nuk na jep siguri për t’u mbrojtur nga nënvariantet e Omicron që po qarkullon sot në botë.
“Ndonëse mund të kemi antitrupa të fituar nga prekja prej Covid-19, ato nuk mbrojnë nga format e rënda që mund të shkaktojë virusi ndaj nevojiten dozat e 3 dhe të 4 të vaksinave anticovid”, thotë për Gazetasi.al, imunologu Genc Sulçebe.


Ndërsa eksperti i shëndetit publik Alban Ylli, teksa shprehet pro vaksinimit me dozën përforcuese dhe të katërt thekson se tashmë dhe vaksinat, po përmirësohen duke u adaptuar me variantet e reja të Covid.
“Jam pro vaksinimit me dozë të tretë dhe të katërt, sepse imuniteti bie shpejt, si për ata që e kanë kaluar edhe ata që janë vaksinuar”, thotë eksperti i ISHP për Gazetasi.al Alban Ylli.

Eksperti i Shëndetit Publik-Alban Ylli-Gazeta "Si"-06.07.2022


Sipas të dhënave të "BBC" për situatën e Covid-19 në botë, referuar Shqipërisë, prej 11 janarit 2021 kur nisi vaksinimi me dozën e parë, rezulton se 43 përqind e popullatës janë të vaksinuar me dy dozat (apo dhe dozën përforcuese), 46 përqind e popullatës është vaksinuar me dozën e parë të vaksinës.
Vaksinat e përdorura janë, Oxford-AstraZeneca (2 doza), Pfizer-BioNTech (2 doza), Sinovac (2 doza) dhe Sputnik V (2 doza).


Sipas të dhënave të 24 orëve të fundit nga ministria e Shëndetësisë, referuar datës 5 korrik 2022, në të gjithë vendin janë kryer 1,077 vaksinime.
“Nga dozat e vaksinës anti-Covid janë kryer 1,310,285 doza të para, 1,251,526 doza të dyta dhe 327,868 doza të treta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë