Ne rrjet

Vajza e Kadaresë, zv/presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, Besiana Kadare ëshë zgjedhur zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ka qenë vetë Kadare, e cila në një postim në mediat sociale ka njoftuar marrjen e pozicionit të ri. Duke theksuar se ky është një privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për të, Kadare deklaron se do t'i shërbejë vendit në këtë post të rëndësishëm, me një vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare.

“Jam krenare të njoftoj se Shqipëria është zgjedhur Zëvendës Presidente e sesionit 75 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara! Është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia. Ky është një privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare. Secili grup rajonal në OKB përfaqësohet me një Zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme. Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Evropës Lindore (anëtarët e EEG, përfshijnë Ballkanin, Evropën Lindore, Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë, Azerbajxhanin, Armeninë etj”, shkruan Kadare, ambasadorja e Shqipërisë në OKB.

Pas postimit te saj, presidenti Ilir Meta e ka uruar Kadarenë, duke theksuar se caktimi i Shqipërisë për të mbajtur këtë sesion dhe zgjedhja e Besianës për të ushtruar këtë detyrë është një mundësi shumë e mirë e përfaqësimit të vendit në mënyrë sa më dinjitoze në këtë organizatë.

"Caktimi i Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror.
Shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë"-shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë