Ne rrjet

Ushtria e Kosovës gati të “luftojë” Covid-19

Ndërkohë që Kosova ka arritur Maqedoninë e Veriut për numrin e të infektuarve nga koronavirusi, Ushtria e Kosovës ka paralajmëruar sot se është përgatitur për çdo skenar që mund të shkaktojë Covid-19.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës deklaroi sot se ka kapacitete mjekësore dhe logjistike për t’u përballur me çdo situatë. Rrahman Rama, i bëri këto komente në një takim që zhvilloi të martën me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Rama premtoi mbështetjen e spitaleve “në fuqizimin e personelit shëndetësor dhe me pajisje mjekësore, për ballafaqimin me pandeminë”.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se “Forca e Sigurisë̈ së Kosovës ka vënë në gjendje gatishmërie ‘Batalionin e Mjekësisë̈’, që mund të vihet plotësisht në shërbim të qytetarëve të Kosovës”.

Javën e kaluar, Zemaj ka paralajmëruar se spitali i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të shfrytëzohet për trajtimin e pacientëve me koronavirus, nëse paraqitet nevoja. Në javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i të prekurve me Covid-19 që e shkakton koronavirusi.

Shifrat e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tregojnë se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 5,118 raste pozitive me koronavirus. Deri të hënën mbrëma, në Kosovë ka pasur 108 viktima të konfirmuara dhe 2,370 raste të të shëruarve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë