Mendim

Ushtria e Europiane, Merkel mbështet idenë e Macron

Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara ka bindur akoma më shumë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Europian se nuk mund të besojnë më verbërisht se siguria u vjen nga matanë Atlantikut.

Nismën i pari e mori Presidenti francez, Emmanuel Macron. Ai propozoi ngritjen e një strukture ushtarake të përbashkët të Bashkimit Europian, që do të funksiononte si e tillë në misione të ndryshme paqeruajtëse ndërkombëtare.

Ideja e Parisit u prit me skepticizëm fillimisht në Berlin. “Nuk bëhet fjalë për një projekt sot për nesër, por që kërkon kohë”, deklaronte pak muaj më parë, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Por shefja e saj, kancelarja Angela Merkel kërkon që ideja të mos mbetet thjesht projekt. Në një intervistë dhënë për Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung ajo mbështet Presidentit francez.

“Jam pro propozimit të Presidentit Macron për ngritjen e një strukture të përbashkët ushtarake. Kjo do të reduktonte edhe shpenzimet, edhe sistemet mbrojtëse, nga 180 që kemi aktualisht në vetëm 30, por që do të ishin më efikasë. Nga ana tjetër, ky projekt do të forconte unitetin europian, por duhet që të zhvillohet falë një plani të përbashkët”, deklaroi Merkel.

Në projektidenë e Macron nuk përjashtohet që pjesë e kësaj strukture të bëhet edhe Britania e Madhe, pas Brexit. Merkel e konfirmoi këtë. “Mund të jemi të hapur për anëtarë të rinj, edhe për vende si Britania e Madhe.

Por, ideja e Macron nuk është pritur mirë në Uashington dhe me rezerva është shprehur edhe Londra. Britania dhe SHBA thonë se siguria garantohet nga NATO dhe nuk ka nevojë për një tjetër strukturë të përbashkët, që do ta rivalizonte Aleancën.

Merkel u pyet gjatë intervistës së saj edhe për Eurozonën dhe kërkesat për reformim dhe për më shumë bashkëpunim mes vendeve anëtare të monedhës së përbashkët. Kancelarja tregoi për herë të parë planin për ngritjen e një Fondi Monetar Ndërkombëtar, si një institucion që do të mundësonte dhënien e kredive afatshkurtra dhe emergjente për vendet në nevojë.

“Për kreditë me afat maturimi 5-vjeçar një fond i tillë do t’u vinte në ndihmë vendeve që kanë telashe të përkohshme me financat e tyre, të shkaktuara nga faktorë të jashtëm. Sigurisht, do të ketë kritere si niveli i borxhit të vendit përkatës dhe aftësia për ta shlyer kredinë e fondit”, deklaron Merkel.

Vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Europian, ku të gjithë sondazhet nxjerrin në rritje të vazhdueshme forcat ekstremiste, euroskeptike dhe populiste. Pikërisht për këtë, Merkel kërkon që Parlamenti aktual të miratojë buxhetin xhumëvjeçar.

“Me pasiguritë e sotme, Europa duhet të tregojë që është në gjendje të veprojë në çdo moment dhe nëse e shtyjmë diskutimin për buxhetin mund të mos jemi në gjendje që të paguajmë programet Erasmus, apo FRONTEX, pa përmendur këtu edhe programet e shumta kërkimore e shkencore që janë në zhvillim”, deklaron kancelarja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë