Keshilla

Ushqimet që rrisin përqendrimin tek të rriturit dhe fëmijët

E kemi thënë dhe stërthënë që pandemia ka ndryshuar çdo gjë përreth nesh. Njerëz pafund që po përballen me punën nga shtëpia, prindër që punojnë nga shtëpia ndërkohë që kanë stresin e fëmijëve dhe mënyrës sesi po zhvillohet mësimi nëpër shkolla. Këto e kanë bërë më të vështirë se kurrë përqendrimin edhe pse tani është shumë i nevojshëm.

Ajo që hamë dhe pimë ka një ndikim të rëndësishëm në atë se sa të rriturit mund të përqendrohen dhe e njëjta gjë vlen për fëmijët që kanë nevojë të jenë në gjendje të mësojnë në tryezën e kuzhinës. Hapi i parë, më themelori është një qasje e përgjithshme e shëndetshme.

"Ne hamë ushqime të ndryshme me idenë se ato janë të mira për këtë apo atë, por nëse nuk keni një mënyrë jetese të përgjithshme të shëndetshme, ngrënia e një ushqimi të vetëm të shëndetshëm nuk do të jetë zgjidhja për të gjitha.” tha dietologia Natalie Rizzo.

E rëndësishme është të flini mjaftueshëm dhe mos të lodheni më shumë seç trupi juaj jua lejon.

Ekspertë të ndryshëm kanë rënë dakort se ka disa lëndë ushqyese që janë veçanërisht thelbësore për funksionimin e trurit.

Karbohidratet

"Karbohidratet janë karburant për trurin tonë.” tha nutricionistja dhe trajneria e shëndetit Shanon Whitingham. Sidoqoftë, me karbohidrate ajo përfshin perime dhe drithërat jo karbohidratet që gjendet në produktet e pjekura dhe patatinat.

Imazh ilustrues

"Karbohidratet e thjeshta, ose sheqernat, përbëhen nga zinxhirë më të shkurtër të molekulave dhe treten më shpejt se karbohidratet komplekse", shpjegoi Whitingham.

Për shkak se karbohidratet e thjeshta treten me një shpejtësi më të madhe se karbohidratet komplekse, kur t'i konsumojmë, do të ndiejmë një nxitje të menjëhershme të energjisë. Megjithatë, ky reagim fjalë për fjalë rrit nivelet e sheqerit në gjak, kështu që rritja e energjisë do të na ushqejë vetëm për një periudhë të shkurtër kohe.

Karbohidratet komplekse, nga ana tjetër, kanë zinxhirë molekule më të gjatë. Trupat tanë marrin më shumë kohë për ti tretur, gjë që krijon një burim energjie më të qëndrueshëm.

Ky është çelësi për të rriturit që të zgjedhin llojin e duhur të karbohidrateve dhe kjo vlen edhe për fëmijët.

"Një mëngjes i bazuar në karbohidrate si për shembull bukë e thekur, drithëra me sheqer, ëmbëlsira ose produkte të tjera të ëmbla mund të bëjë që fëmijët të ndihen të uritur para se të vijë vakti i drekës dhe kjo bën që ato të shpërqendrohen.” tha dietologia Jill Castle, themeluese e “Nourished Child” një shkollë që ofron programe ushqimore për prindërit.

Proteinat

Ndjenja e urisë është një nga arsyet më të mëdha pse ne shumë herë thjesht nuk mund të përqendrohemi.

Si ta shmangni këtë ndjenjë? Proteinat janë një zgjidhje.

“Proteinat duan kohë të treten dhe për pasojë do t’ju ngopin më gjatë.” shpjegoi Meredith Bull, një mjeke naturopatike. Për më tepër, proteina ndihmon në funksionin nervor, shëndetin qelizor dhe prodhimin e hormoneve, të gjitha thelbësore për fokusin dhe përqendrimin.

Ajo thotë se proteinat janë veçanërisht të nevojshme për neurotransmetuesit, sinjalet kimike brenda trurit që përcaktojnë funksionimin e tij dhe kështu aftësinë tonë për tu përqendruar.

Castle tha se proteina është po aq e rëndësishme për vaktet e fëmijëve sa është për të rriturit.

“Burimet e proteinave së bashku më karbohidratet komplekse duhet të jenë pjesë e mëngjesit dhe drekës tuaj.” thotë Castle.

Yndyrnat e shëndetshme

"Yndyrnat e shëndetshme sigurojnë yndyrna omega-3 që lejojnë neurotransmetuesit të transmetojnë mesazhe në të gjithë trurin.” tha Castle.

 Ato gjithashtu nxisin transmetimin e më shumë oksigjen në tru çka është mirë për përqendrimin dhe kujtesën.

Rizzo dhe Whitingham theksuan të dyja rëndësinë e arrave, me Rizzo duke cituar një studim që zbuloi se arrat mund të ndihmojnë "të përmirësojnë performancën tonë, të përmirësojnë kujtesën, përqendrimin dhe shpejtësinë e përpunimit të informacionit tek të rriturit.”

Imazh ilustrues

Avokado njihet si një produkt që ka yndyrna të pangopura të cilat ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut. Kjo do të thotë që avokadot dhe yndyrnat e tjera të shëndetshme nuk ju ndihmojnë vetëm të jeni të përqendruar por edhe ndihmojnë në funksionimin e trurit për një kohë më të gjatë.

 Fibrat

Sipas Rizzo, fibrat shkojnë krah për krah me proteinat, duke u siguruar që të jeni mjaftueshëm të ngopur që të mos dëshironi të konsumoni gjë midis vakteve, duke prishur përqendrimin tuaj.

Për burime të shëndetshme të fibrave, plotësoni dietën tuaj me fruta si mjedra, dardha, mollë (me lëkurë), banane, portokall dhe luleshtrydhe, perime si brokoli, bizele, lakër, patate, misër, karrota dhe lulelakër. Produkte të tjera siç janë thekra, buka me grurë, arrat, thjerrëzat, fasulet e zeza dhe bajamet.

Antioksidantët

Karbohidratet dhe proteinat janë makroelementë dhe vitaminat, mineralet janë mikroelemente, të dyja shumë të nevojshme për trupin tonë.

Më të rëndësishme për funksionin e trurit janë mikroelementët, ose vitaminat, të konsideruara antioksidantë. Antioksidantët përmirësojnë komunikimin midis qelizave tona të trurit dhe ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve neurodegjenerative, tha Whitingham.

Për të marrë vitamina të nevojshme, Whitingham rekomandoi arra, gjalp kikiriku, spinaq, speca të kuq, kunguj, mango dhe avokado.

Për vitaminën C, Rizzo sugjeroi manaferrat si dhe boronicat dhe luleshtrydhet. Domatet, brokoli, portokalli, spinaqi dhe panxhari janë gjithashtu burime të mira të vitaminës C.

Imazh ilustrues

Çokollata e zezë është një tjetër burim i mirë antioksidant për shkak të kakaos së saj, e cila ka flavonoide.

Kafeja është një tjetër burim i antioksidantëve por duhet të konsumohet në mënyrë të moderuar që mos të shkaktojë probleme.

Kolina

"Disa burime të proteinave, si vezët, përmbajnë kolinë, e cila ndihmon zhvillimin e kujtesës," tha Castle. Kolina ndihmon në prodhimin e yndyrnave që mbështesin membranat qelizore dhe acetilkolinës, një neurotransmetues që lidhet me kujtesën.

Vaktet

Whitingham rekomandoi kombinimin e boronicave të pasura me antioksidantë me kos të pasur me proteina. Thjerrëzat që kanë karbohidrate komplekse, proteina dhe fibra mund ti përdorni më shpesh. Rekomandojnë gjithashtu dhe orizin kaf.

Për fëmijët, idetë e Castle përfshijnë: vezë të skuqura me spinaq dhe djathë për proteina, kolinë dhe antioksidantë, avokado dhe vezë në bukë të thekur për fibra, yndyrna të shëndetshme, proteina dhe kolinë dhe makarona me salcë domate për karbohidratet komplekse, fibra dhe antioksidantë. Nëse fëmijët duan gjëra më të lehta, një përzierje e arrave me frutat e thata do ti bënte ato të lumtur, të shëndetshëm dhe të përqendruar.

Burimi: Huffington Post. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë