Keshilla

Ushqime që ju ndihmojnë të jeni të shëndetshëm ndërsa kaloni dimrin e Covid-19

Me rritjen e rasteve të Covid-19 dhe me dimrin që ka trokitur kudo, nivelet tona të energjisë dhe sistemet imune mund të bien. Shpesh u drejtohemi ushqimeve që na "ngushëllojnë" në ditë të ftohta dhe të zymta, por ngrënia e ushqimeve të duhura mund ta forcojë trupin tonë në mënyrat më të mira. Këtu janë disa nga lëndët ushqyese më të dobishme për periudhën e dimrit dhe ushqimet ku gjenden.
Vitamina B12- Gjendet në ushqime të tilla si qumështi, mishi dhe drithërat në mëngjes.

Vitamina B12 mund të ndihmojë në luftën kundër trishtimit të dimrit.
"Ajo luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e serotoninës, e cila ndihmon në rregullimin e humorit," thotë Mark Moyad, një drejtor i mjekësisë në Universitetin e Miçiganit. Marrja e mjaftueshme e B12 mund të ndihmojë në uljen dhe zhdukjen e simptomave të lodhjes dhe madje edhe depresionit.
"Kur nuk kemi B12 në trup, ka kaq shumë gjëra që mund të shkojnë keq," thotë ai.
Donald Hensrud, drejtor i Programit të Jetesës së Shëndetshme të Klinikës Mayo në Rochester thotë se rreth 15% të njerëzve mbi moshën 65 vjeç kanë mungesë të B12, prandaj ai shpesh rekomandon suplemente prej 500 deri në 1000 mikrogramë çdo ditë.
Vitaminë C- Gjendet në ushqime duke përfshirë frutat agrume, domatet dhe patatet.

Vitamina C ndihmon sistemin imunitar të funksionojë si duhet. Nuk ka të ngjarë të shërojë ose parandalojë ftohjet, por është treguar se zvogëlon kohëzgjatjen e simptomave, thotë Moyad. Mund të ndihmojë gjithashtu ata, sistemet e të cilëve janë nën tendosje.
Një hulumtim i vitit 2013 i 29 provave klinike zbuloi se ndërsa marrja rregullisht e vitaminës C nuk uli incidencën e ftohjeve në popullatën e përgjithshme, por mund të ketë ndihmuar 598 njerëz të ekspozuar në të ftohtë të tillë si vrapuesit dhe skiatorët. Sasia ditore e rekomanduar e C është 75 deri 90 miligramë në ditë për të rriturit. Një portokall përmban 51 miligramë.
Vitamina D- Gjendet tek peshku yndyror, vezët, mëlçia dhe kërpudhat.

Disa studiues po shikojnë lidhjet e mundshme midis mungesës së vitaminës D dhe Covid; gjetjet nga studimet që ekzaminojnë përdorimin e vitaminës D për të parandaluar ose trajtuar Covid nuk janë përfundimtare, por disa janë premtuese, thonë autoritetet. Vitamina D shpesh shtohet në ushqime të tilla si qumështi dhe lëngu i portokallit. Trupi gjithashtu mund të marre vitaminën D përmes ekspozimit në rrezet e diellit. Për njerëzit që janë vegjetariane mjekët mund të rekomandojnë marrjen e vitaminës D si shtesë për të siguruar nivele të përshtatshme, thotë Barbara Davis, një dietologe.
Zinku- Gjendet në ushqime duke përfshirë mishin e kuq, shpezë, gaforre dhe karavidhe, si dhe fasule, arra dhe drithëra.

Zinku mund të ndihmojë sistemin imunitar të luftojë bakteret dhe viruset. Studiuesit kanë testuar efektivitetin e zinkut në ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e simptomave të ftohjes, me "rezultate të përziera".
"Konsensusi duket të jetë që marrja e zinkut në shenjën e parë të një ftohjeje duket se shkurton kohëzgjatjen përkundrejt mos marrjes së zinkut", thotë Craig Hopp, një zëvendës drejtor në Qendrën Kombëtare të Shëndetit në Amerikë.
Hekuri- Gjendet në ushqime duke përfshirë mishin, prodhimet e detit, shpezët, fasulet, spinaqin dhe drithërat dhe bukët e pasuruara me hekur.

Moskonsumimi i mjaftueshëm i hekurit mund të çojë në anemi, simptomat e së cilës mund të përfshijnë lodhje, humbje e kujtesës dhe përqendrimit dhe aftësia e humbur për të luftuar infeksionet. Bishtajoret si fasulet e bardha, thjerrëzat dhe bizelet mbajnë hekur.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë