Politike

A do të prodhohet një opozitë të re?

Gazeta Si - Lulzim Basha u hakmor ndaj deputetëve të tij që nuk morën pjesë në zgjedhjen e tij si kryetar i PD-së, për herë të katërt, në korrik të këtij viti.

Hakmarrja e tij nisi ndaj Gazment Bardhit që e shkarkoi si kryetar të grupit parlamentar dhe më pas nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Në vend të tij, si sekretar vendosi Enkelejd Alibeajn dhe nënkryetarë besnikë të tij, Flutura Açka, Kreshnik Çollaku, Orjola Pampuri dhe Roland Bejko.

Basha u hakmor dhe ndaj deputetëve që qëndronin mbi palët, si Jorida Tabaku, ndërsa çuditërisht ftoi dhe futi në Kryesi deputeten Oriola Nebijaj.

Por ristrukturimi i PD-së, ka sjellë edhe mjaft të pakënaqur nga mbështetësit e Bashës që janë si kryetarë degësh, pasi u tradhtuan dhe nuk u zgjodhën si në kryesinë e PD-së.

I gjithë ky proces i pastrimit të “armiqve” nga Basha do të reflektohet në Parlament, me numrin e deputetëve që do deklarohen si pjesë e grupit parlamentar. Nëse të ndëshkuarit do të futen si pjesë e PD-së nga Basha, apo ato do të pranojnë që jenë pjesë e këtij grupi.

Këto zhvillime të PD-së zyrtare po ndiqen me interes nga ana e Foltores së Sali Berishës, i cili menjëherë ka bërë përpjekje për të joshur Bardhin dhe deputetët e grupimit të tij.

Për herë të parë ai do të deklaronte se nuk e ndalonte Bardhin të konkurronte si kryeministër, nëse grupimi i tij vinte në pushtet.

Urrejtja ndaj Bashës uli në një tryezë Bardhin e Berishën, të cilët kishin mprehur shpatat kundër njëri-tjetrit prej kohësh.

Tryeza ishte si shkëndijë e parë e unifikimit të qëndrimeve politike, por bashkimi i dy grupimeve duket se mbetet ende i largët.

Kjo u pa dhe në Kuvend, ku votat e opozitës kundër dekreteve për emërim ministrash nuk ishin në unison, dhe pati "rrjedhje".

"Çështjet që na ndajnë janë shumë më pak se çështjet që na bashkojnë", do të ishte kjo deklarata e Gazment Bardhi në tryezën me deputetët së bashku me Berishën.

Ajo që i bashkon dukshëm është urrejtja që kanë ndaj Bashës, por ajo që i ndan mund të jetë vetëm një e vetme, por mund të përbëjë tërë boshtin e funksionimit të opozitës.

Edhe ajo lidhet se kush do të jetë lidershipi i ri opozitës. Deputetët e përjashtuar nga Basha, që njihen si grupimi "Bardhi", e kanë një kusht: lider i PD-së të mos jetë as Basha e as Berisha.

E ky kusht i lë ata "jetim" në fatin e tyre politik. Pra, në këtë kuptim, krijimi i një opozite të fortë, si shkak të urrejtjes së Bashës, duket ende i largët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë