Politike

Kuvendi voton ndryshimet në qeveri, sa deputetë votuan pro ministrave të rinj, dhe kush votoi kundër (shtyhet votimi për Ervin Meten) 

Kuvendi votoi dekretet e presidentit për kabinetin e ri qeveritar. Fillimisht, deputetët e opozitës, bazuar në një kërkesë të Gazment Bardhit, kërkuan debat për emrat, por Lindita Nikolla refuzoi duke futur në votim shkarkimet dhe emërimet e reja.

Olta Xhaçka nuk do të jetë më ministre e Jashtme. Ajo u shkarkua me 95 vota pro dhe 1 kundër. Vota kundër shkarkimit erdhi nga deputeti Erion Braçe.

Ne foto: Ministrja e shkarkuar Olta Xhaçka

Në vend të saj u votua Igli Hasani me 74 vota pro, 33 kundër.  

Ne foto: Ministri i Jashtëm, Igli Hasani

Më radhë u shkarkuan Ogerta Manastirliu me 110 vota pro, Evis Kushi me 99 vota,  1 abstenim dhe 3 kundër, Frida Krifca me 107 vota, Edona Bilali me 102 vota dhe 4 kundër,

Dy ministret e shkarkuara Milva Ekonomi dhe Evis Kushi

Milva Ikonomi u shkarkua me 98 vota pro, 2 abstenim dhe 2 kundër.

U emërua me 73 vota dhe 35 kundër Arbian Mazniku si ministër Shtetit për Pushtetin Vendor,  me 73 vota dhe 32 kundër Albana Koçiu si ministre e Shëndetësisë.

Ministri për Pushtetin Vendor, Arbi Mazniku

Me të njëjtin rezultat votimi shkon edhe Manastirliu tek Arsimi ndërsa Anila Denaj zgjidhet ministre e Bujqësisë  me 73 vota pro dhe 27 kundër.

Ndërkohë, u shty për seancën e radhës emërimi i ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete, për shkak të detyrës së anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.

Dorëheqja nga ky post u miratua nga deputetët me 95 vota pro, por emërimi në krye të ministrisë do të duhet të shtyhet për në seancën tjetër.

Specifika e Metës ka mbajtur pezull edhe votimin për Delina Ibrahimajn, konkretisht dekretit të shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe emërimin si ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë