Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës ka publikuar draftin me 12 rekomandime për qeverinë shqiptare në lidhje me planet për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosë. Komisioni rekomandon qeverinë shqiptare të pezullojë projektet për ndërtimin e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit në Vjosë, pasi zbatimi i tyre do të shkonte në kundërshim me parimet e Konventës e Bernës dhe i kërkon asaj të bëjë një planifikim strategjik e të ndërmarrë vlerësime të mëtejshme.
“Dy vite më parë ne kemi adresuar një ankimim pranë Konventës së Bernës duke argumentuar se ndërtimi i HEC-eve në Vjosë është në kundërshtim me disa nene të saj. Dhe sot pas një angazhimi të vazhdueshëm Byroja e Konventës vjen me një raport dhe një sërë rekomandimesh të cilat qeveria shqiptare ka detyrimin që t’i marrë në konsideratë”. tha Olsi Nika, përfaqësues i EcoAlbania.
Në rekomandimet e saj, Konventa vë theksin tek hartimi i Planit të Menaxhimit të Integruar të Basenit të Vjosës dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor duke ndërmarrë konsultime të gjera me komunitetin. Njëkohësisht rekomandon qeverinë të zhvillojë një studim për ndikimet potenciale të HEC-eve të Kalivaçit dhe Poçemit në prujen e sedimenteve të lumit Vjosa si dhe të përsërisë studimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për HEC Poçem. Këto rekomandime do të diskutohen nga Komisioni i Përherëshm në mbledhjen e 38-të të tij në Strasburg, që do të mbahet më 27-30 nëntor 2018, për t’i hapur rrugë çeljes së çeshtjes së Vjosës në Konventën e Bernës.
Konventa e Bernës është një prej konventave më të rëndësishme të ruajtjes së natyrës dhe mbrojtjes së biodiversitetit në Evropë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Rekomandimet e saj do të ishin detyruese për qeverinë shqiptare duke çuar deri në anulimin e HEC-eve në gjithë luginën e Vjosës.
Aktualisht, qeveria shqiptare ka nënshkruar kontratën e koncesionit për hidrocentralin e Kalivaçit me bashkimin e përkohshëm të kompanive “Fusha Sh.p.k” dhe “Ayen Enerji”. Kësaj të fundit më parë i ishte dhënë koncesioni për ndërtimin e projektit hidroenergjetik Poçem, punimet e të cilit kanë ndaluar, pas shpalljes së pavlefshmërisë së kontratës konçesionare nga Gjykata Administrative e Shkallës së I-rë, Tiranë. Të dy hidrocentralet janë planifikuar në pjesën e poshtme të Vjosës dhe do të shkatërronin një pjesë veçanërisht të rëndësishme të lumit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.