Futboll

Ulërima e Agustin Kolës: Po vrasim futbollin!

Fatjon Rupi - “Me fëmijët çdo ditë, kënaqem, se fëmijët janë të sinqertë, të thonë çdo gjë që mendojnë”, - të thotë pa u përshëndetur mirë akoma. Është rituali i përditshëm për të në kompleksin “Dajti”, nuk neglizhon asnjëherë. Është 59 vjeç, por “fibër” fizikisht, si dikur me fanellën e Tiranës dhe të Kombëtares. Agustin Kola pranon me kënaqësi të flasë për Gazeta Si për futbollin tonë, duke e vënë gishtin menjëherë në plagë, sikur ta dijë se pyetjet tona kanë të bëjnë me vuajtjet e Tiranës në veçanti, por edhe të futbollit shqiptar në përgjithësi.

Si ka qenë futbolli në atë kohë dhe si është tani? Çfarë do të thoshte të vishje fanellën e Tiranës në atë kohë? Kola nuk di nga t’ia fillojë. Nuk ka fare komplekse dhe pasi thekson se edhe futbolli ka problemet e veta të mëdha, si çdo fushë e jetës në Shqipëri, i merr me radhë ato gjëra që i vrasin sytë ish-sulmuesit të mirënjohur bardheblu, një prej emblemave të Tiranës së viteve ’80-90. Konkluzioni dhe njëkohësisht ulërima e Kolën është: Kështu po vrasim futbollin! Janë tre pikat kyçe, që sipas tij e kanë marrë “peng” futbollin e sotëm dhe nuk e lënë të rritet në shtratin e tij natyral: zhdukja e fushave, trajnerët që bëhen palë me presidentët dhe nuk tregohen profesionistë, si dhe privatizimi i munguar i klubeve.

Agustin Kola

“A e dini sa fusha ka pasur Tirana? Ka pasur 10 fusha me përmasa olimpike, pa folur për fushat e tjera të zeza, që luhej futboll 7 me 7. Po tani? Po zhduken të gjitha. Ku do të formohen këta fëmijë, ku do të stërviten dhe ku do të rriten? Në kohën tonë ishin klasat sportive, ishin spartakiadat. Kishte aktivitete dhe na shihnin profesorët me shumë kujdes e më pas na përzgjidhnin. Unë, për shembull, kam qenë në not dhe në cirk, por pasi më panë të luaja futboll, më morën. E nisa portier, ngaqë vija nga cirku, por hëngra një gol, dola në sulm dhe nuk u ktheva më në portë. Dua të them, në atë kohë kishte shumë filtra për të shkuar te skuadra e parë e Tiranës. Aty shkonin më të mirët, pa diskutim. Tani është ndryshe. Duan të bëhen futbollistë me zor fëmijët e të pasurve, por nuk jam dakord. Futbollistë bëhen të varfrit.

Po, ka pasur qoka edhe në atë kohë, por në 22 lojtarë ishin ndoshta 2 me mik. Dhe trajnerët nuk i aktivizonin edhe ata 2, madje kishte raste që ne i thoshim trajnerit për t’i aktivizuar dhe nuk e bënte. Asgjë nuk ishte mbi punën dhe skuadrën. Ai që e meritonte. Të vishje fanellën e Tiranës në atë kohë duhet të kaloje shumë prova, shumë filtra, kurse tani...”, - tregon Kola.

Kola në stërvitje me ekipin e tij

Ish-sulmuesi i njohur njihet si një njeri që flet pa rezerva dhe nuk nguron të akuzojë edhe brezin e ish-futbollistëve ku ai bën pjesë se  po i jep një dorë shkatërrimit të futbollit, në vend që të bëjë të kundërtën: “Po, po, ne ish-futbollistët e atij brezi kemi fajet tona në gjendjen e mjerueshme të këtij futbolli. Pse? Sepse bëhemi palë me presidentët, të cilët nuk e kuptojnë futbollin. U japim gjithmonë të drejtë atyre. Ish-futbollistët e kohës time, tani trajnerë, për të mbajtur vendin e punës, thonë vetëm “po” për gjithçka. Por nuk është kështu. Kudo në botë, ish-futbollistët hedhin bazat e së ardhmes, duke punuar me akademitë. E kam parë vetë në Greqi, ku kam luajtur disa vite. Me akademitë e skuadrave të njohura punonin ish-futbollistë të shquar të shkollës jugosllave. Pra, njerëz profesionistë, që e bëjnë punën si duhet në momentin kur hidhen bazat e futbollit”.

Privatizimi është një tjetër çështje shumë e rëndësishme, që sipas Kolës do të bënte ndryshimin e madh në futbollin tonë. “Po nuk u privatizuan klubet, nuk kemi gjë. Nëse ne të dy marrim një lokal me qira, mund të investojmë për ta ngritur, por pak, sepse nuk kemi siguri. Nëse do ta blinim dhe do ta kishim lokalin pronën tonë, do të bënim gjithçka, do të sakrifikonim, do të merrnim dhe kredi për të pasur sukses. E njëjta gjë është edhe me klubet e futbollit. Nuk bëhen duke i marrë në administrim, por duke i privatizuar dhe shteti duhet ta bëjë këtë gjë sa më shpejt. Nëse skuadra është pronë e dikujt, ndryshon çdo gjë. Nuk ka rrugë tjetër, veç privatizimit”, - thekson trajneri kryeqytetas.

Kola me fanellën e Tiranës

Tirana aktuale, sa larg fanellës!

Nuk mund t’i mungonte bisedës Tirana aktuale. Ish-futbollistët bardheblu e ndjejnë më shumë se kushdo tjetër gjendjen e vështirë të Tiranës, që sezonin e shkuar provoi për herë të parë shijen e hidhur të Kategorisë së Parë, ndërsa rikthimi në elitë nuk është ai që të gjithë prisnin. Kola e thotë troç se kjo Tiranë nuk e ka brumin për të pasur sukses: “Tirana ka probleme dhe nuk mendoj se ishte trajneri brazilian e keqja e vetme. Në një familje, është kryefamiljari ai që përgjigjet për gjithçka. Ai mban përgjegjësi. Tiranës i mungon boshti, i mungon një mbrojtës qendre me shumë përvojë, një organizator dhe një sulmues për të shënuar golat. Skuadra aktuale nuk i ka këta lojtarë dhe detyrimisht do të vuajë”, - shprehet Kola.

Ambientet sot në stadiume

Si shumë gjëra që kanë ndryshuar nga futbolli i viteve të mëparshme, sot ka ndryshuar edhe ambienti në stadiume, sjellja e tifozëve. Edhe për këtë aspekt Kola reagon: “Nuk e kuptoj atë që ndodh tani, me sharje në kor edhe për një ekip, që nuk është fare në fushë. Isha në stadium për të parë ndeshjen e Tiranës me Kamzën dhe po dëgjoja që aty shahej Partizani. Çfarë është kjo? Apo një lojtar, që merr megafonin dhe fillon të ndezë tifozët e ekipit të tij, duke sharë një ekip tjetër, është absurde. Edhe kur luanim ne kishte të shara në stadiume, por gjithçka mbyllej aty, në ato 90 minuta. Na kanë sharë në Vlorë, por sapo ka mbaruar ndeshja, ja ata labët e egër, na janë hedhur në qafë. Gjithçka niste dhe mbyllej brenda shkallëve të stadiumit, nuk kishte kaq urrejtje”.

Kola në stërvitje me ekipin e fëmijëve që drejton

Një mesazh për të gjithë fëmijët

Në fund, Agustin Kola u bën apel të gjithë fëmijëve të merren me sport. “Jo vetëm për shëndetin, por edhe nëse një ditë nuk do të bëhen futbollistë, do të bëhen njerëz të dobishëm për shoqërinë. Do të jenë të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht”, - përfundon Agustin Kola. Karriera e Agustin Kolës si futbollist është e lidhur ngushtëisht me Tiranën. Fanellën e saj e ka veshur në vitin 1980 dhe ka luajtur 11 vjet, për të kaluar më pas tek Egaleo në Greqi dhe për t’u kthyer sërish me fanellën bardheblu, para se të mbyllte karrierën në vitin 1997. Rreth 120 gola të shënuar me Tiranën dhe 1 gol me Kombëtaren e Shqipërisë, me fanellën e së cilës numëron 22 ndeshje. Si trajner ka drejtuar moshat e Tiranës dhe ekipin e parë, por edhe Kamzën. Tani stërvit me shumë përkushtim ekipe fëmijësh.

Agustin Kola dhe Presidenti i vendit, Ilir Meta

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë