Bota

Ukraina godet me dron autobusin rus që shkonte në Krime, 7 të vdekur dhe 11 të plagosur

Gazeta Si – Një sulm me dron vrau shtatë persona në një autobus që udhëtonte nga Moska për në Krime dhe plagosi 11 të tjerë.

Sulmi ndodhi ndërsa autobusi ndodhej në qytetin Jenakiyeve, në pjesën e pushtuar nga Rusia të rajonit Donetsk të Ukrainës.

Edhe pse askush nuk e mori përgjegjësinë menjëherë, siç ndodh shpesh në raste të tilla, është e besueshme që sulmi të jetë kryer nga Ukraina në përgjigje të sulmit masiv rus që goditi disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, Dnipro dhe Kharkiv, gjatë natës së hënës dhe të martës, duke vrarë të paktën 22 persona.

Përveç sulmit ndaj autobusit, sulme me dronë kanë ndodhur edhe në vende të tjera të Rusisë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski tha se gjatë natës, ushtria ukrainase goditi një depo karburanti në Shën Petersburg, më shumë se një mijë kilometra në veri të kufirit ukrainas-rus.

Zelenski shtoi se u goditën edhe objektiva të tjera ushtarake, përfshirë bazën Kronstadt, në perëndim të Shën Petersburgut dhe një kompani prodhimi armësh në rajonin Tambov të Rusisë, rreth 300 kilometra nga kufiri me Ukrainën lindore.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se u rrëzuan 354 dronë ukrainas, përfshirë disa mbi Shën Petersburg. Deri më tani nuk ka raportime për dëme ose lëndime.

Sulmi ndodhi pikërisht ditën kur hapet Forumi Ekonomik Ndërkombëtar (IEF) në Shën Petersburg, një ngjarje ku marrin pjesë politikanë dhe biznesmenë me lidhje të ngushta me Rusinë.

Ndër të ftuarit e këtij viti, janë influencuesja amerikane e ekstremit të djathtë dhe podkasterja, Candace Owens dhe influencuesi mizogjin, Andrew Tate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë