Menaxhim

Ujësjellësi i ri i Belshit me energji solare, redukton kostot me 95%

Nga Gazeta ‘Si’ - Ujësjellësi i ri i Belshit që po hyn në fazën finale të realizimit, është ndër projektet e para të eficencës së tranzicionit energjitik. Ujësjellësi do të operojë me energji solare, që do të përmbushë 95% të nevojës së saj, që do të thotë po aq ulje të kostove që shkonin më herët në fatura të energjisë.

Në një inspektim atje, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky shembull do të aplikohet edhe në zona të tjera, teksa ftoi investitorët që të investojnë në energjinë solare në këto zona.

Ujësjellësi i Belshit, janar 2023

“Belshi e ka zgjidhur këtë problematikë njëherë e mirë, e ka zgjidhur në vitin më kompleks për energjinë, pra gjatë vitit 2022, kur çmimet e megavatorit të energjisë arritën dhe 1044 euro në 31 gusht. Për të gjithë investitorët qofshin këto të mëdhenj, të vegjël, të huaj apo vendas të energjisë duhet të kenë parasysh që zona e Belshit, zona e Cërrikut, janë zona me rrezatim të lartë të energjisë diellore, kështu që në rast se do të ketë zona ku janë kullota, do të ishte mirë që të kishte një spostim të investimeve edhe në zonat tuaja”, - tha ministrja Balluku.

Drejtori i AKUM, Klevis Jahja shpjegoi se ujësjellësi do të ketë 4 pompa me fuqi 400 kilovat, të cilat do të pompojnë 60 litra ujë në sekond. Energjia do të merret nga parku fotovoltaik po aty pranë me fuqi 1 meagavat dhe me kapacitet prodhimi 1.250 MWh në vit, nga 2.200 panele fotovoltaike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë