Futboll

UEFA përjashton Rubin Kazan, theu rregullat e “Fair-Play”

Një tjetër “viktimë” e “Fair-Play”-it financiar. UEFA ka bërë të ditur publikisht përjashtimin nga Kupat e Europës të klubit rus Rubin Kazan. Rubinit i ndalohet të marrë pjesë në kompeticionet ndërkombëtare për sezonin 2018-19, ose për sezonin tjetër, nëse në këtë aktual nuk arrin të kualifikohet për në Kupat e Europës. Vendimi është marrë për shkak se klubi rus ka thyer rregullat e “Fair-Play”-it financiar të marrëveshjes së firmosur në maj të vitit 2014.

UEFA nuk e ka specifikuar në njoftimin e saj se cila pikë e kësaj marrëveshjeje nuk është zbatuar nga klubi rus, por vendimi është i prerë: në rast kualifikimi në Kupat e Europës, Rubin Kazani nuk mund të marrë pjesë sezonin e ardhshëm.

Ekipi i Rubinit

Rubini ishte ndëshkuar më parë me një gjobë prej 3 milionë eurosh, por tani është detyruar të paguajë më shumë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gurban Berdijev mban aktualisht vendin e 5-të në kampionatin rus, pra ndodhet në zonën europiane dhe ka vetëm 2 pikë diferencë me vendin e dytë, që garanton pjesëmarrjen në turin eliminator të Champions League. Tani Rubinit i duhet ta shtyjë të paktën edhe një sezon më shumë rikthimin e tij në Kupat e Europës. Pjesëmarrja e fundit e këtij ekipi në arenën ndërkombëtare i takon sezonit 2015-16, kur si për ironi të fatit u pranua në Europa League pas skualifikimit të Dinamos së Moskës po për shkak të thyerjes së rregullave të “Fair- Play”-it financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë