Në fund të muajit qershor të vitit 2021, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti shkarkuan nga posti i zv. drejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Vlora Hysenin.
Prej asaj kohe, ajo ka qenë e punësuar si këshilltare e kryeministrit Edi Rama.
Të premten, Rama e ka propozuar tek Presidenti i Republikës, si kryetare të SHISH.
Po kush është Vlora Hyseni?
Në qershor të dy viteve më parë, mediat në Kosovë njoftonin se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kishin marrë vendim për shkarkimin e Hysenit nga detyra e nën-drejtoreshës së Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.
“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar.
Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara.
Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Hyseni ishte emëruar zv.drejtoreshë e AKI-së në shkurt të vitit 2019. Ajo u emërua me mandat pesëvjeçar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, mandat i cili i zgjati deri në fund te qershorit 2021 me shkarkimin e Albin Kurtit kur erdhi kryeministër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.