Art dhe Kulture

U përdorën për fushatë, njihuni me Kishën e Profetit Ilia dhe atë të Shën Kollit

Kandidatët e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tepelenës dhe të Roskovecit zgjodhën  mjedise kishash për të përcjellë mesazhe elektorale. Tërmet Peçi mbrëmjen vonë të së shtunës zgjodhi të mbledhë burra e gra në kishën e Profetit Ilia, në fshatin Lekël të Tepelenës, ku foli rreth projekteve të katërvjeçarit të ardhshëm, duke nënvizuar edhe potencialet turistike të fshatit të shtatë mëhallëve dhe shtatë kishave.

“E nisëm bisedën në kishën e fshatit. Një traditë që i shoqëron në shekuj, mbledhjet dhe kuvendimet e Lekëliotve. Kjo për faktin se fjala e lënë në vend të shenjtë, duhet patjetër të marrë udhë e të bëhet realitet”, shkruante kryebashkiaku i Tepelenës në profilin e tij të Facebook-ut, duke evokuar kohë e figura të së shkuarës si gjenerali besnik të Ali Pashë Tepelenës, lekëliotin Thanas Vaja, i cili urdhëroi edhe ndërtimin e  kishës 300-vjeçare, e restauruar dhe funksionale edhe në ditët e sotme.

Për Kishën Ortodokse, veprimi i Peçit ishte marrëzi, siç deklaroi kisha e Shën Theodorit në Vlorë. Peçi shfaqej i rrethuar jo vetëm nga burra e gra, por edhe 37 ikonat me figura shenjtësh të kësaj kishe.

Ndërhyrjet restauruese të kishës trinefëshe,  me bazament guri u kryen në vitin 2000, kryesisht në dysheme ikonostas dhe çati. Kisha me kambanoren, hajatin, dhomën e burrave, të grave dhe altarin ruhet ende në gjendje të mirë edhe pse e ka humbur disi kontekstin arkitektonik dhe stilistik të saj.

Tërmet Peçi në kishën e Leklit,Tepelenë

Po kush ishte bamirësi që ndërtoi kishën trishekullore të fshatit me rëndësi arkeologjike e etnografike të zonës së Rrëzës?

Dilni, se po digjet dynjaja,

kapetan-o Thanas Vaja.

Thanas Vaja i lekëlot,

bashko ushtrinë me sulotë!

Ju halldupët e Turqisë

shihni djemtë e Shqipërisë,

ju halldupët e sulltanit,

shihni djemtë e ktij vatani!

Kështu i këndonin lekëljotët birit të tyre Thanas Vajës, një nga gjeneralët më të besuar të Ali Pashë Tepelenës. Fillimisht do t’i shërbente Aliut si sejmen e më pas kreu funksionet si Ministër i Brendshëm, Komandant i Gardës dhe Kryekomandant i të gjitha forcave ushtarake të Vezirit. Sipas Thomas Smart Hughes, Thanas Vaja ishte gjenerali më i suksesshëm dhe më për zemër i Ali Pashës. Këtij njeriu i janë besuar sekretet më intime të padronit të tij. Ai ka liri veprimi për të kryer gjithçka kur Aliu ndodhet larg apo nuk merret personalisht me punët e Pashallëkut.

Ali Pasha mbante Këshillin, Divanin, me bashkëpunëtorë të zgjedhur nga njerëzit më të afërt dhe më të besuar, midis të cilëve më i njohuri do të bëhej lekëljoti Thanas Vaja. Kishte dhe lekëljotë të tjerë, luftëtarë e komandantë, sikurse ishte Janko Poga, që e vendosën në krye të artilerisë. Një nga miqtë e afërt të Aliut ishte babai i Thanasit, që e kishte ndjekur nga afër dhe i kishte shërbyer atij me fanatizëm. Ai, ishte ndër të parët lekëljotë që bashkëpunuan me Ali Pashën.

Ndryshe nga autorë të kohës, francezi Pukëvil me grekun Valariotis, Thanas Vajan e tregojnë “tradhtar gjakatar”, që me 150 trupa, i urdhëruar nga Ali Pashë Tepelena, vrau 600 myslimanë kardhiqotë. Plani i Ali Pashë Tepelenës ndaj lekëljotëve dhe hormovitëve ishte vërtet djallëzor. Për këtë, ai do të shfrytëzonte postin e sundimtarit. I shtirur se gjoja e kishte harruar hakmarrjen dhe priste të bënin pajtim, përgatiti më parë planin si do të vepronte, në fillim kundër parisë dhe më pas kundër gjithçkaje në Lekël dhe Hormovë. Lajmëroi krerët e dy fshatrave, të mblidheshin në manastirin e Shën Triadhës në Tërbuq, për të biseduar dhe gjetur zgjidhjet më të mira mbi problemet e përbashkëta, për të marrë përsipër detyrimet reciproke dypalëshe.

Të ftuarit hynë pa dyshuar, pasi u çarmatosën. Kur të gjithë u ndodhën brenda, u sulmuan nga katërqind forca të Pashait. Në pak minuta s’mbeti asnjë gjallë, veç të plagosurve rëndë që luteshin t’i vrisnin sa më parë, që nuk duronin dot dhimbjet e plagëve vërtetë therëse, të pashërueshme. Kështu u shkaktua masakra më e rëndë në fshatrat e Rrëzës, Lekli e Hormova, nga pabesia e Aliut që akoma nuk ishte bërë Pasha. “Pasi mbaroi me parinë në manastir, u erdhi radha banorëve e fshatrave të tyre. Fajtorë dhe të pafajshëm pinë kupën hakmarrëse të Aliut. Banorët u therën, shtëpitë e boshatisura u dogjën. Hormova dhe Lekli e paguan. Nuk do të mbetej për më vonë veçse Kardhiqi”, shkruan autori grek Vurnos, në librin “Ali Pashë Tepelena, tiran apo politikan i talentuar”.

Në romanin “Ali Pashë Tepelena”, shkrimtari dhe historiani Sabri Godo e përshkruan kështu Vajan. “Thanasi ishte dinak, por i drejtë dhe i vërtetë, i ashpër, por me zemër të mirë, presë jatagani kur duhej goditur, burrë i vërtetë që se njihte frikën, i mbyllur në fjalë ndaj Zotit, mendimet ia shfaqte vetëm Pashait me aftësinë për të zënë miq në kohë të shkurtër”.

Por a ishin vërtet “tradhtar gjakatar”, Thanasi së bashku me luftëtarët që morën pjesë, kur duhej të pushtonin patjetër Kardhiqin? Përgjigjen më të saktë do ta jepte përsëri Pukëvili, që dëshmon gjëra të rëndësishme dhe thotë: “Aliu po bënte përpjekje titanike të krijonte shtetin e pavarur e modern, kur Kardhiqi ishte fole e fshehtë, i cili po përgatitej për betejën përfundimtare me Aliun, ku i fituar nga humbja e tij do ishte Sulltani. Ky u kishte premtuar kundërshtarëve të Aliut ndihmë ushtarake.

Kambanorja e kishës së Profetit Ilia,

Perandoria Osmane ishte aq shumë e interesuar, për t’i ardhur në ndihmë Mustafa Pashës në Kardhiq, sa urdhëroi më parë aleatët të shkonin në Shqipëri, si të tjerët që ishin në ku me Pashallëkun e Janinës. Stambolli ishte bindur që Aliu përpiqej të krijonte Shtetin e Pavarur, ku lekëljoti Thanas Vaja ndodhej në frontin më të parë.“Pavarësisht se çfarë thuhet, -shprehet arvanitasi Aristidh Kola, - rënia e Gardhiçit (Kardhiqit) ishte arritje e një rëndësie të madhe për Ali Pashë Tepelenën, ku vërtet u shqua Thanas Vaja, që duke marrë pjesë në politikën antiturke të Aliut, e dinte nëse Gardhiçi do duronte dhe vinin ushtritë e Sulltanit, atëherë raporti i forcave do ndryshonte në disfavor të Aliut dhe në favor të turqve”. Thanas Vaja, përfundimisht vdiq i varfër, i padukshëm, i keqkuptuar, me dashurinë e madhe për Leklin.

Në Lekël veç Kishës së Profetit Ilia, është kalaja tremijë vjeçare dhe pranë saj, këmbët e një ure të kohës së Ali Pashait. Kisha e Profet Ilias në Lekël është shpallur monument kulture i kategorisë II.

Kisha e Shën Kollit, në Kurjan të Roskovecit përfundoi së restauruari -pas pesëdhjetë vitesh harresë, vetëm në mars të këtij viti e ndoshta kryebashkiakja  Majlinda Bufi  mund ta ketë pasur të parën vendndodhje në mendje për intervistën në ERTV, profili zyrtar i kryeministrit Rama në Facebook.

Intervistë kjo që ndezi debatin me Mitropolinë e Apolonisë dhe të Fierit që e cilësuan si sakrilegj dhe fyerje e madje edhe shkelje të marrëveshjes së 2009-ës që qeveria ka nënshkruar me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku ndalohet përdorimi i kishave apo tempujve të shenjtë për mitingje politike.

Vetë kryebashkiakja do të reagonte menjëherë pas deklaratës, me argumentin se nuk kishte kryer ndofarë sakrilegji pasi kisha nuk e kryente më funksionin e saj parësor, por ishte thjesht një monument kulture e për më tepër jo pronë e Kishës Ortodokse, por e Ministrisë së Kulturës.

Mbi  një kodër të vetmuar,  në periferi të Kurjanit, gjendet kisha e Shën Nikollës, e ndërtuar në shekullin e XIII. Faltorja e stilit bizantin, e njohur nga banorët si Kisha e Shën Kollit, dikur ka pasur formë kryqi, e mbuluar me kupolë. Kupola është shembur ndër vite. Aty pranë është një nga degëzimet e pjesës jugore të rrugës Egnatia dhe tanimë pjesë e itinerarit të  “Rrugës së besimit”.

Shën Nikolla është një shenjtor që nderohet njëlloj nga të dyja kishat si ajo katolike ashtu edhe nga ajo ortodokse. Përpara se të shndërrohet në shenjt dhe idhull i krishterimit Nikolla ishte një prift i përkushtuar në Provincën romake të Licies në Azinë e vogël. E ndodhur vetëm 20 kilometra  në perëndim të Kurjanit,  ajo ka si pjesë të saj një portik të bukur romanik të ndërtuar nga normanët e Robert Guiskardit.

Në vitin 1956 një ekspeditë studimore e Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Historisë bëri një nga zbulimet më interesante në brendinë e kësaj kishe, siç ishte fakti se afresket e saj ishin pikturuar në vitin 1578 nga piktori ikonograf Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësi i tij Joani.

Mbishkrimi që vërtetuan këtë fakt u publikua nga studiuesi ikonografisë bizantine,  Theofan Popa, në librin e tij “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”.  Teksti i shkruar në greqishten bizantine ishte një thirrje në formë lutjeje që i drejtohej famullitarit. “Kur të ngresh duart para perëndisë o meshtar, më përmend edhe mua me katarin dhe të paditurin Joanin me Nikollën…

Pas këtij zbulimi,  afresket e kishës së Kurjanit u bënë objekt studimesh nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili e shpalli kishën e Shën Kollit monument kulture, në vitin 1963. E megjithëse kisha e lashtë tanimë shërben më së shumti si atraksion turistik, ajo nuk e humbet identitetin e saj religjioz...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë