Ne rrjet

U martua me nje grua 50 vite më të re, shkarkohet kryemyftiu i Maqedonisë së Veriut

Martesa me një grua 50 vite më të re ka sjellë shkarkimin e kryemyftiut të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi. Pas publikimit të fotove me partneren e tij, Rijaseti, i njohur drejtuesi më i lartë i komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut u shkarkua me shumicë votash.

Sulejman Rexhepi, 73 vjeç, postoi së fundmi foto nga martesa me një 23 vjecare në mediat sociale, duke shokuar shumë myslimanë në vendin fqinj për shkak të diferencës së madhe të moshës.

Rexhepi ka pasur mbështetjen e shumicës së myftijeve në Maqedoninë e Veriut dhe i mbijetoi disa përpjekjeve për ta larguar atë pas akuzave për korrupsion. Por, shumica e organit drejtues të Bashkësisë Fetare Islame mbështetën vendimin për të shkarkuar Rexhepin nga posti i tij. Ai u zgjodh për herë të parë si udhëheqës i Komuniteti Mysliman në vitin 2006 dhe vazhdoi të rizgjidhej, për t’u shkarkuar pas martesës.

Deri në zgjedhjen e kryemyftiut të ri, Bashkësinë Fetare Islame do ta drejtojë myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.

Sulejman Rexhepi

Ish-kryemyftiu Rexhepi ka qenë shumë i përfolur në opinion gjatë periudhës së fundit dhe jo vetëm për shkak të jetës private. Ai hyri në “luftë të hapur” me qeverinë gjatë izolimit për shkak të koronavirusit. Rexhepi kundërshtoi disa vendime qeveritare dhe vendosi për hapjen e xhamive pavarësisht rekomandimeve të qeverisë për mbylljen e tyre.

I njohur për deklaratat e papritura, Rexhepi kohët e fundit shkaktoi polemika, pasi ngulmoi se "koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka vdekur", edhe pse vendi fqinj ende raporton 20 deri në 40 raste të reja çdo ditë.

Ai u përfol gjatë në opinionin publik për fonde për Fakultetin e Shkencave Islame nga paketa emergjente financiare për rimëkëmbjen, si dhe u shpreh kundër orës policore disa ditore gjatë festës së Fitër Bajramit.

Megjithatë, ajo që çoi drejt shkarkimit të tij, sipas mediave në vendin fqinj, ishte martesa me një partnere 50 vjet më të re, për të cilën Komuniteti Mysliman thotë se dëmton imazhin e tij.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë